Në 9-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit Rugova, në Prishtinë do të mbahen një sërë aktivitetesh për të nderuar atë. Fillimisht do të zhvillohen homazhet tek varri i tij në Velani dhe më pas vizita në familjen Rugova. Në orët e pasdites do të mbahet edhe një akademi përkujtimore. Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, lindi më 2 dhjetor të 1944-ës në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Rugova vinte nga një familje, ku i ati Ukë Rugova dhe gjyshi Rrustë Rugova, u pushkatuan nga komunistët jugosllavë. Gjyshi i Ibrahim Rugovës kishte qenë një luftëtar i njohur kundër çetave cetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 23 dhjetor 1989, Ibrahim Rugova, u zgjodh Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike që sfidoi regjimin komunist në fuqi. Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
















