Oerd Bylykbashi, bashkëkryetari i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, tha sot se kjo reformë është kusht për çdo reformë tjetër në vend, përfshirë edhe atë në sistemin e drejtësisë.
“Reforma zgjedhore është reforma bazë, themelore që Shqipëria duhet të përmbushë me sukses tani. Është një kusht thelbësor. Besoj se dy reformat janë të lidhura në mënyrë të natyrshme. Suksesi i reformës në drejtësi është gjithashtu i varur nga suksesi i reformës zgjedhore”, u shpreh ai.
Bylykbashi, propozoi që reforma zgjedhore të bëhet paralelisht me atë të drejtësisë.
“Vërtet votimi elektronik është një kusht. Absolutisht, pa të është e pamundur që ne të kemi një ndryshim thelbësor të procesit zgjedhor. Jo thjesht për ta bërë më të shpejtë dhe interesant. Kjo është një ndërhyrje që synon t’i kthejë besimin të gjithëve tek procesi zgjedhor”, shtoi deputeti demokrat.















