Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati vlerësoi sot marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë. Në një konferencë të përbashkët me homologen italiane Federica Mogherini, ministri Bushati falënderoi Italinë dhe veçanërisht kontributin personal dhe institucional të ministres Mogherini, për mbështetjen ndaj Shqipërisë.
“Kam bërë një zotim publik që në këtë foltore të mos diskutoj për çështje të politikës së brendshme por vetëm për çështje që kanë të bëjnë me politikan e jashtme. Vullneti i Shqipërisë mbetet i qartë për të konsoliduar marrëdhënien e mirë që ekziston mes Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëdhënia italo-shqiptare mund të jetë një model për marrëdhënien shqiptaro-greke, pavarësisht divergjencave, raporteve të karakterit shpirtëror apo ligjeve të ndryshme që mund të ekzistojnë.”- deklaroi ministri Bushati.
Ndërsa kryediplomatja italiane Mogherini deklaroi se Shqipëria është një shembull i shkëlqyer për vendosmërinë në ndërmarrjen e reformave në të mirën e vendit.
“Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie miqësie dhe vëllazërie. Unë flas gjithnjë për njohje të statusit dhe jo dhënie të statusit, sepse puna më e madhe është bërë këtu. Njohja e statusit është rezultat i një angazhimi të ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe vendimi i këshillit për njohjen e statusit është marrë në bazë të reformave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare.”- deklaroi ministrja italiane.
















