“Fshije, në rast se e lexon”.
Kështu shkruhej në fund të e- maileve dhe SMS- ve që mbërritën tek shumë milionerë në Bullgari, të cilët kanë llogari bankare në First Investment Bank, e njohur ndryshe si Fibank. Sipas Spiegel, në mesazh thuhej se banka e tretë më e madhe në Bullgari ishte përpara falimentimit dhe se ata duhej të tërhiqnin paratë.
Ky mesazh e pati ndikimin e tij. Brenda pak orësh, nga Fibank u tërhoqën rreth 400 milionë euro. Por jo vetëm kaq! Radhë të mëdha u krijuan edhe përpara bankës së katërt më të madhe në Bullgari, Corpbank. Banka qendrore e Bullgarisë ndërhyri duke marrë kontrollin mbi Corpbank, ndërkohë që qeveria vendosi një linjë krediti prej 3.3 miliardë euro për sistemin bankar.
Megjithatë, bankat janë sërish në panik ose në atë që njihet si “Bank Run”. Por çfarë lidhje ka kjo ngjarje me Shqipërinë? Fibank është një nga bankat që operon në Shqipëri si degë e bankës së madhe bullgare.
Por pse kjo krizë?
Spiegel thotë se dyshimet janë se shkak për këtë krizë është një betejë mes dy oligarkëve.
Nga njëra anë është sipërmarrësi dhe politikani Deljan Peevski, një figurë kontroverse në politikën bullgare. Së bashku me mamanë e tij, ai kontrollon grupimin më të madh mediatik në vend. Peevski është deputet i partisë Minoritare Turke, DPS. Corpbank është banka kryesore e DPS dhe firmat e Peevskit kanë marrëdhënie të shumta me këtë bankë.
Nga ana tjetër është bankieri Zvetan Vassilev, që ka në pronësi rreth 50 për qind të aksioneve të Corpbank. Deri më tani ata ishin aleatë, madje thuhej se së bashku donin të merrnin përsipër ndërtimin e gazsjellësit South Stream për pjesën bullgare.
Por më pas lindi përplasja: Vassilev kërkoi paratë, që firmat e Peevski-t i kanë borxh Corpbank. Peevski nga ana e tij e akuzoi Vassilev se kishte kërkuar vrasjen e tij.
Vassilev thotë se politikani Peevski është vetëm mjeti që po përdoret për një skenar më të madh për të destabilizuar vendin për t’i dhënë fund qendrueshmërisë së monedhës vendase.
Duke folur për Financial Times, ai tha se dyshohet se pas kësaj skeme qëndrojnë politikanë dhe biznesmenë të fuqishëm, të cilët duke rrënuar sistemin bankar, duan të “shkrijnë” edhe borxhet e tyre. Rënia e monedhës leva do bënte që borxhet e tyre të humbisnin vlerën.