Ish-kryeministri Berisha ka dhënë një intervistë për ABC News ku ka folur ndër të tjera edhe për reformën në drejtësi. Sipas tij është Rama që nuk e do reformën në drejtësi, pasi ka frikë prej saj. Berisha hodhi poshtë edhe pretendimet e Ramës se shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë janë emëruar nga PD.
Gazetarja: Zoti Berisha meqë jemi në këtë intervistë është në interes të dimë nëse ka diçka të fundit edhe për reformën në drejtësi, pra ndonjë zhvillim përtej anës proceduriale?
BERISHA: E reja e fundit për reformën është se Edi Rama hoqi maskën. Pas një takimi me dy ambasadorët, përfaqësuesen e BE-së dhe ambasadorin e SHBA-së, për të mashtruar shqiptarët sikur ato që po thoshte ishin në ujdi me ta, doli dhe deklaroi sa vijon:
Së pari i përcaktoi kryetarit të opozitës vijën e kuqe. Kjo tha është vija e kuqe. Një kryeministër që i përcakton kryetarit të opozitës vijën e kuqe për një çështje që negociohet, dëshmon qartë mungesën totale të vullnetit për të zgjidhur problemin. Së dyti, Rama mashtroi shqiptarët se të gjithë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese janë të emëruar nga PD. Kjo është aq e vërtetë sa ç’është e vërtetë që Bamir Topi ishte një bashkëpunëtor i PD. Nuk ka shqiptar që nuk di qëndrimet haptazi armiqësore të Bamir Topit ndaj partisë që e bëri president, sepse e bleu me kokë dhe xhep Edi Rama. Cdo shiptar sot e di mirë se ishte Ina Rama. Ka vëtëm tre gjykatës në Gj. Kushtetuese të emëruar nga Nishani, njëri prej të cilëve për hir të së vërtetës është Fatmir Xhafa bis në drejtësi, që e ka emrin Besnik Ymeri. Ky është realiteti. Por ne, deri sa e solli presidenti e votuam dhe nuk komentojmë vendimet e tij pavarësisht se si voton. Kurse në Gj. e Lartë janë gjithsej dy ose tre gjykatës të emëruar nga presidenti Nishani dhe janë 15 të tjerë të emëruar nga Moisiu dhe Topi. Por nuk ka rëndësi kjo. Rëndësi ka fakti se Rama deklaroi se këta janë të PD dhe ndaj e do vetingun për t’i bërë të PS-së. Ai kështu e hoqi maskën. Dhe ai u tha shqiptarëve se këta i kanë të gjithë ndaj dua t’i marr unë tani dhe vetingun nuk ja u lëshoj. Në këtë mënyrë ai tregoi shumë qartë se çfarë koncepti ka për reformën. Por ai është pengesa kryesore për reformën dhe ta dinë mirë shqiptarët që edhe atë që bën e bën fallco sepse e di që reforma do merret me Surrelin, me pallatin në pajë etj. Ai ka frikë nga reforma si djalli nga temjani!
Më tej gjatë intervistës ish-kryeministri u trajtoi problemin e kanabisit. Ai tha se Shqipëria është kthyer në një republikë kanabisi, ndërsa i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë.















