Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha shtroi mbrëmë një iftar me rastin e Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, i cili përkoi dhe me Natën e Shenjtë të Kadrit.
Të ftuar të zotit Basha ishin përfaqësues të komuniteteve fetare në vendin tonë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik, e personalitete nga fusha të ndryshme.
Duke iu uruar Agjërim të lehtë e të pranuar, zoti Basha ka përzgjedhur disa lutje drejtuar Zotit në këtë natë të shenjtë, mes të cilave edhe për orientimin e drejtë të vendimmarrësve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës.
“T’i lutemi Zotit që të zbresë sa më shumë mençuri, sa më shumë vendosmëri, e sa më shumë dashuri në shpirtrat e gjithë shqiptarëve, e në veçanti të vendimmarrësve, e të na udhëheqë në rrugën e vendimeve të duhura e të drejta, të na heqë nga rruga e vendimeve të gabuara, e të na mundësojë në këtë mënyrë të jemi të vërtetë dhe të dobishëm në punën tonë dhe betimit tonë për t’i shërbyer njerëzve dhe këtij vendi. Të lutemi, po kështu që vendime të mëdha e të rëndësishme që i kemi marrë dhe që i kanë testuar durimin dhe zemërgjerësinë e besimtarëve të kryeqytetit, siç është ai për xhaminë e madhe, të marrin rrugën e duhur, dhe mbi të gjitha, të lutemi që të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, pa dallim, kjo natë t’i bekojë në të gjitha
pikëpamjet, shpirtërore, njerëzore, të lutemi për më të vobektit, e më në nevojë për më shumë mundësi e mirëqenie për ta. Le të lutemi që të gjithëve ne të na bekojë, duke na dhënë forcën dhe kurajon për të ecur në rrugën e drejtë”. u shpreh Basha gjatë fjalës së tij.















