Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha vazhdojnë të replikojnë në distancë lidhur me shembjen e ndërtimeve pa leje.
Rama vazhdon të publikojë në rrjetin social “facebook’ foto të aksioneve të INUK për prishjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet. Në një postim të tijin të fundit Ramatregon shembjen e një lokali dy katesh pa leje i cili kishte përfshirë brenda edhe lapidarin.
“Dy kate pa leje lokal qoftesh e bastesh mbi shesh e trotuar dhe me gjithë lapidar brenda mu në mes të Tiranës!” shkruan Rama.
Por nuk ka vonuar reagimi i Kryetarit të Bashksië Basha i cili në një status në Facebook shkruan se lokali qëndron në po të njëjtin vend prej 12 vitesh.
“Ky dykatëshi që “zbuloi” sot ish kryetari 11 vjecar i bashkisë ka 12 vjet që qëndron aty. I lejoi 11 vjet të mbijnë në rrugë e trotuare përkundrejt tarifës korruptive…sot krekoset si gjeli majë plehut se po i prish…pa krijuar asnjë vend të ri pune, asnjë shpresë për të ardhmen. Vetëm mjerim, shkatërrim dhe propagandë bajate…Ndërkohë klientela e tij ndërton pa leje nga Velipoja në Ksamil…”, shkruan Basha.
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nisur ditë më parë aksionin në Kryeqytet për prishjen e rreth 700 objekteve të ndërtuara pa leje në rrugët e Tiranës dhe paralajmëron se aksioni do të vijojë deri në çlirimin e plotë të hapësirave publike në të gjitha rrugët e kryeqytetit.















