Në frymën e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Lëvizja Socialiste për Integrim i bën thirrje opozitës të braktisë bojkotin.
Kryetari i Grupit parlamentar, Petrit Vasili, që ishte edhe pjesë e delegacionit shqiptar në Strasburg, tha se opozita dhe mazhoranca duhet të shohin si rrugëzgjidhje konsensusin.
I pyetur nga gazetarët nëse LSI mbeshtet idenë e Kryeministrit për zgjedhjen në krye të Bankës së Shqipërisë të një Guvernatori të huaj, Vasili tha se zgjidhja e çështjes së Guvernatorit duhet të jetë kushtetuese dhe të bëhet me mirëkuptim.
Për Guvernatorin kryeministri Rama pranoi në emisionin Opinion se i kishte kërkuar Presidentit të Republikes që të konsideronte propozimin e një Guvernatori të huaj.
Por Kreu i Shtetit, që ka hapur edhe aplikimet për këtë post të rëndësishëm, tha në të njëjtin emision se ligji e përcakton qartë se Guvernatori duhet të jetë shtetas shqiptar.
















