Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i ka bërë thirrje kryeministri Edia Rama që të votojë “reformën në drejtësi siç e kemi rakorduar me opsionet e paraqitura nga Venecia”.
Sipas Bashës, opozita ka pranuar një nga opsionet e Venecias që ofron mekanizmat e mos kapjes së drejtësisë nga politika. “Nuk pranojmë asgjë më pak se kjo”, deklaroi ai.
Gjatë një tryeze për antikorrupsionin të organizuar nga Partia Demokratike, Basha nënvizoi se PD-ja është gati të votojë një reformë në drejtësi që garanton mos kapjen e drejtësisë.
“Jemi gati! Të hënën pranuam të gjitha sugjerimet e faktorit ndërkombëtar. Dhamë garanci për ta votuar këtë paketë. Kryeministri e refuzoi zgjidhjen e EURALIUS-it, OPDAT-it dhe Venecias. E refuzoi se nuk përputhet me konceptin e tij për drejtësi. E patë se kush është ky koncept. Dje kërcënoi prokurorinë pas skandalit të përgjimit. Por nuk është kjo drejtësia që fut shqiptarët në Europë. Qeveria do një drejtësi të kapur politikisht, nuk i intereson drejtësia e pavarur”, tha kreu i PD-së.















