Një 35-vjeçar nga Eritrea është ndaluar në Sudan dhe më pas ekstraduar drejt Italisë, pasi konsiderohet si njëri prej personave më aktivë të rrugës libiano-nënsahariane.
Ndërkohë, atë e quanin “gjenerali” dhe për prokurorët e Palermos ishte koka e trafikut të njerëzve nga Libia në Itali. Bëhet fjalë për Medhane Yehdego Mered, i cili besohet të jetë, veç të tjerash, edhe personi që organizoi udhëtimin e anijes së fundosur në afërsi të ishullit italian të Lampeduzës tetorin e vitit 2013, kur gjetën vdekjen gati 360 emigrantë, shumica nga Eritrea dhe Somalia.
Sipas agjencisë kombëtare britanike të krimit, ato e kishin gjurmuar 35-vjeçarin deri në Kartum, ku edhe u krye prangosja e tij. Hetuesit britanikë po mbështesnin zyrtarët italianë në përpjekjet e tyre për të hedhur dritë mbi tragjedinë e Lampeduzës.
Në bisedat e përgjuara të Meredit është zbardhur deri diku mënyra e tij e të vepruarit dhe lëvizjes së parave. Në njërën prej tyre, “gjenerali” është regjistruar teksa pyet një person të quajtur Abdu, nëse mund të ketë probleme nga fakti që ka para nëpër duar, e përgjigjja e bashkëbiseduesit është t’i përdorë me kujdes pa rënë në sy.
35-vjeçari, sipas mediave italiane, është i martuar me një bashkëkombësen e tij rezidente në Zvicër, me të cilën ka një fëmijë 2 vjeç.















