Opozita paralajmëroi sot se po nis një fushatë elektorale e cila sipas saj është më e motivuar se kurrë nga problematika të shumta që shqetësojnë qytetarët në prag të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Lideri i opozitës, Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i bashkisë së Tiranës, tha sot se do të dilet me një slogan të ri. Ai është “Nisja e Re”. Z.Basha shpjegon arsyet e këtij slogani. “Nisja e Re, me gjithçka ajo përmban e nënkupton, pikësëpari me të jetuarit përditë me realitetin e gjallë të njerëzve, dhe reflektimin e halleve, problemeve dhe shpresave të tyre, në propozimet dhe politikat tona, është projekt dhe sfidë e dorës së parë që mund dhe duhet ta fitojmë vetëm me qytetarët, dhe për qytetarët e këtij vendi”. Sloganin e ri, Basha e shpalli në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, forca më e madhe opozitare në vend. Ai tha se qeveria është duke bërë kohët e fundit propagandë të fuqishme, që sipas tij vjen në kuadrin e fushatës elektorale.
“Ajo që po kërkon këto ditë me paradat e tij të shpëlara propagandistike Edi Rama, është vota. Po, po kërkon votën e qytetarëve. E kishte harruar votën prej tetëmbëdhjetë muajsh por është kujtuar këto ditë, ndërsa po afrohet fushata e zgjedhjeve vendore. Në fakt ora e votës po afron. Ora e sovranit po afron. Kjo do të jetë pa dyshimin më të vogël ora e gjykimit me votë për qeverinë e pabesive, mashtrimit dhe gënjeshtrës”, – tha z.Basha. Sipas tij, Rama bëri shumë premtime në zgjedhjet parlamentare, por sot, kur po mbushet gjysma e mandatit katërvjeçar, nuk ka bërë asgjë nga ato që mori votat. Nisur nga këto arsye, opozita pret që në zgjedhjet lokale të fitojë bindshëm. “Kjo do të jetë ora e zgjedhësve që do të vendosin me votë nëse e pranojnë apo e refuzojnë modelin e premtim-mashtrimeve të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Ne, opozita, kemi bindjen se përgjigja e zgjedhësve shqiptarë do të jetë një refuzim dhe një mësim për t’u mbajtur mend nga qeveria Rama-Meta, qeveria e mashtruesve dhe gënjeshtarëve”. Lideri demokrat, pret që “kjo përgjigje të vijë jo vetëm nga zgjedhësit opozitarë, por edhe nga zgjedhësit që mund të kenë votuar koalicionin e majtë në zgjedhjet e kaluara”. Njëkohësisht, Basha pret që votat për opozitën të vijnë edhe nga të pakënaqurit: “Presim edhe nga një numër shumë i madh zgjedhësish të majtë që me siguri kanë pyetur e pyesin veten: për këtë qeveri votuam, për të shtrënguar zgjedhën në qafën e qytetarëve?” Në zgjedhjet e dy viteve më parë, opozita e sotme pësoi disfatë të thellë duke marrë një të tretën e mandateve parlamentare. Kryeministri i 8 viteve të djathta, Sali Berisha, dha dorëheqjen dhe kreun e kësaj partie e mori kryebashkiaku i Tiranës, disa herë ministër në qeveritë e Berishës.















