Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se ardhja e Papa Françeskut në Tiranë është një ngjarje e shënuar dhe një privilegj i veçantë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha nënvizon se për të është një nder i veçantë që në emër të qytetarëve të Tiranës t’i dorëzoj Atit të Shenjtë titullin “Qytetar Nderi”.
“Për qytetin tonë është një ngjarje e shënuar dhe një privilegj i veçantë të mikpresë të dielën më 21 shtator në një vizitë historike Papa Franceskun. Kjo është vizita e parë e papa Françeskut në një qytet dhe në një vend europian, një përzgjedhje kuptimplotë nga ana e Shenjtërisë së tij që na jep ndër të gjithëve; një bekim për vendin tonë, një vlerësim i jashtëzakonshëm për qytetarët e Tiranës dhe për ç’do shqiptar.
Tirana dhe Shqipëria janë pa dyshim një shembull për mbarë botën i tolerancës dhe bashkëjetesës civile të njerëzve në respekt të përkatësive të tyre fetare, sekulariste apo krahinore. Këto virtyte te trashëguara ne shekuj e kane lartësuar figurën e shqiptarëve. Sot bota ka shumë nevoje për këtë shembull të shkëlqyer të respektit të besimtarëve dhe komuniteteve respektive për njeri-tjetrin që shqiptarët përçojnë dite pas dite. Për mua është një nder i veçantë që në emër të qytetarëve të Tiranës t’i dorëzoj Atit të Shenjtë titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin:
“Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë”, tha Basha. Ndër të tjera kreu i PD-së nënvizon se Tirana dhe qytetarët e saj, pa dallim feje, krahine dhe ideje, janë përgatitur për të pritur me zemër të bardhë, siç e ka zakon shqiptari, Papën e të thjeshtëve.
“Na ndajnë akoma katër ditë nga kjo vizitë apostolike, por Papa Françesku thuajse ka mbërritur. Tirana dhe qytetarët e saj, pa dallim feje, krahine dhe ideje, janë përgatitur për të pritur me zemër të bardhë, siç e ka zakon shqiptari, Papën e të thjeshtëve, Papën e afrimit dhe bashkimit të njerëzve, mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Qytetarin e Nderit të Tiranës sonë. I themi së bashku me gjithë zemër “Mirësevjen në Tiranë”, përfundon Basha.
















