Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka hapur sot zyrtarisht fushatën elektorale të kandidatit demokrat Sherefedin Shehu në Dibër për postin e kryebashkiakut.
Basha garantoi në fjalimin e tij se Shehu ka mbështetjen e plotë të PD dhe “nesër si kryeministër, do të përkrah çdo projekt të tij për Dibrën” duke theksuar se projektin kryesor, “Rrugën e Dibrës, ne e nisëm ne dhe ne do ta përfundojmë”.
Basha e vlerësoi maksimalisht figurën e Shehut: “Ky është dibrani i vërtetë, i lirë, me kultin e punës, me kultin e ndjenjës, me punë dhe vetëm punë” dhe u kujtoi qytetarëve disa pasazhe nga fjala e mbajtur nga Kryeministri Rama për kandidatin socialist ose më saktë, ato që Rama nuk tha, siç u shpreh.
“Miqtë e mi, mund të zgjatem me orë të tëra dhe të shpreh me orë të tëra atë që ju përfaqësoni për mua, familjen time dhe kombin shqiptar. Politikanët kërkojnë dhe gjejnë fjalë të bukura. Por ata duhet ta tregojnë me akte, respektin e tyre për qytetarët. Sot kam një arsye që të shpreh respektin tim dhe të PD-së: Sherefedin Shehun, kandidatin tonë për bashkinë.
Sherefedini është një profesor që ka nderuar Shqipërinë në Amerikë dhe gjithë botën, që e njeh dhe nderon e gjithë bota. Dibra do të ketë kandidatin më të zotë dhe më të respektuar në të gjithë Shqipërinë.
Ai përfaqëson shqiptarin e fortë, me karakter, që pushteti dhe politika nuk e ka prishur, po e ka skalitur për të marrë përgjegjësi. Që mendon për qytetarët. Dibra ka nevojë për më shumë sepse Sherefedini ka durimin dhe përvojën që duhet.
Po na dëgjon Sherefedini, por mos kini merak se nuk i rritet mendja, se është njeri i punës. Do të vijë dita kur të vlerësojmë punën e tij në krye të bashkisë së Dibrës. Në Dibër, në aleancën më të gjërë qytetarë, vetë qytetarët janë më të bashkuar se kurrë me ne.”















