Një ditë pas protestës së 8 Dhjetorit, kryetari i PD, Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp për të falenderuar të pranishmit, duke theksuar se përulet ndaj atyre që i vunë zjarrin bunkerit.
Megjithatë, Basha u distancua nga ata që hodhën gurë.
Ai bëri një krahasim me protestat e PS, duke thënë se pavarësisht se ishin mijëra njerëz, nuk “u prek asnjë flok polici”.
Basha, theksoi se “vërshimi i shqiptarëve ishte mesazh i qartë i mbështetjes për PD-në dhe për planin e saj për largimin e krizës politike dhe ekonomike që ka pushtuar vendin”.
“Qytetarët dhe biznesi kërkojnë zgjidhje. Dje në shesh ishin të dhunuarit, të cilëve u janë prishur shtëpitë dhe bizneset; ishin studentët, të cilët përjetuan mashtrimin e qeverisë që premtoi akses në arsim, por mbylli dyert e universiteteve, duke kaluar ligjin klientelist për arsimin e lartë; ishin të përndjekurit, të cilët u riposhtëruan nga Edi Rama, i cili ringriti simbole të diktaturës; ishin pronarët, të cilët nuk pranojnë dot kurrë ligjin e ri të shpronësimit; pensionistët, të cilët nuk shohin rritje pensionesh prej dy vitesh; të papunët, të cilëve u janë shtuar radhët nga tkurrja e ekonomisë; ishin socialistët e zhgënjyer nga fakti që familjen e tyre politike e kanë në dorë një grusht kriminelësh; ishte një popull i tërë dhe i falenderoj nga zemra”, tha Basha.
Kreu i PD-së shtoi se “protestat do të vazhdojnë pa pushim” dhe se “mosbindja civile sapo ka nisur”.
Në lidhje me gjobën që Bashkia e Tiranës i ka vendosur Partisë Demokratike për dëmet e shkaktuara gjatë protestës, Basha tha: “Bashkisë do i çojmë një kastravec 163 milimetra”.
















