Deputeti Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi sot në Kuvend që dyja palët, pozitë-opozitë të mbështesin Policinë e Shtetit që të zbulojë dhe të vërë para drejtësisë autorët e vrasjes së bankierit Artan Santo.
“Të nxisim Policinë e Shtetit që të zbulojë vrasjen e bankierit Santo, një mik i mirë, një qytetar i zoti për Shqipërinë tonë. Shteti duhet t’i kapë ata dy kriminelë që e sfiduan në mes të ditës, por ne së bashku, pozitë-opozitë, socialistë e demokratë, duhet të jemi sot në mbështetje të policisë dhe jo të bëhemi zëdhënës të “Gates”. Ta mbështesim policinë që ta hetojë me përpikmëri këtë rast dhe menjëherë të arrestohen dy kriminelët e të vihen para drejtësisë”, u shpreh Balla.
Në vijim të komenteve për aksionin në Lazarat, ai akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për lidhje me baronët e drogës.
“Lazarati nuk ishte thjesht një plantacion droge jashtë kontrollit të shtetit, por ishte më shumë se kaq. Ai ishte shembëlltyra e dorëzimit pa kushte të shtetit që opozita e sotme i kishte bërë për shkak të pazareve të ulëta të Berishës me baronët e drogës në Lazarat. Ai që sulmon sot për lidhje të fshehta të policisë me kriminelët i kishte vendosur vetë ato me ‘Gatet’ e shokët e tij. I vetmi njeri në këtë parlament që komunikonte orë pa orë me ‘Gaten’ e miqtë e tij në Lazarat, ishte vetëm Sali Berisha. ‘Vip’-at e Lazaratit e kishin shtetin vetëm një telefonatë larg dhe e drejtonin atë me telekomandë’, u shpreh Balla në parlament.














