Diplomatë të Kosovës për herë të parë kanë organizuar një takim protokolli në shtetin serb, duke qenë të pranishëm edhe në parlamentin e Serbisë.
Pas një viti e gjysmë prej kur është themeluar zyra ndërlidhëse diplomatike e Republikës së Kosovës në Beograd, për herë të parë diplomatë të këtij misioni kanë arritur të fillojnë takimet zyrtare me institucionet serbe.
Takimi i parë zyrtar i protokolluar nga shteti serb u zhvillua ditën e mërkurë.
“Eshtë me rëndësi se ka ndodhur ky takim dhe kemi biseduar për temat aktuale të interesit të përbashkët. Eshtë theksuar nevoja e komunikimit më dinamik dhe intensifikimit të takimeve të këtij lloji edhe në të ardhmën”, ka thënë Riza Halimi, deputet i Luginës në parlamentin e Serbisë.
Ky takim vjen pas disa aktiviteteve dhe organizimeve që i ka bërë zyra e kosovës në Beograd, me komunitetin shqiptarë nga Lugina, si dhe takimeve tjera të ndërsjellta me komunitetin e biznesit në Serbi dhe përfaqësuesve të biznesit Kosovar.















