E kishte të vështirë të fillonte tregimin për udhëtimin e tij. Sapo kishte nënshkruar një kontratë prej disa milionë paundësh, por për të kontrata të tilla janë kaq e zakonshme saqë thjesht përbëjnë rutinën e punës së tij.
As që mund ta kishte imagjinuar këtë stacion të udhëtimit të tij në vitet ’90, kur Shqipëria mbetej vendi ku fjala shprese mungonte dhe as që mund të flitej për hapësira dhe mundësi. Ai e kishte vendosur se do të largohej në atë kohë, kur as që guxoje të flisje me dikë, pasi “arratija” paguhej me jetë, e në rastin më të mirë me dhjetëra vite burg. Por ëndrra e Asllan Mustës ishte aq e fuqishme, saqë mund të thyente çdo ligj e rend shoqëror, nuk do të kishte doganë as kufi që do ta ndalonte.
Ëndrra e tij ka një zanafillë të largët, e ngjizur diku në një zonë e varfër e Librazhdit, por në sintoni të plotë me kohën e atëhershme shqiptare të mbetur prapa… shumë prapa…
Ishte gjimnazist dhe besoi në vetvete, duke sfiduar hapur kufijtë tokësorë apo detarë… Është një trajektore e përpjekjeve titanike udhëtimi i tij drejt Londrës. Një trajektore që fillon me “tentimin” për arratisje drejt ish-Jugoslavvisë, për të vazhduar me aventurën në anijen “Partizani” që mundi t’i dërgonte shqiptarët drejt bregut të lirisë, për të vazhduar me Greqinë, ku operacionet “fshesa” të rikthimin të shqiptarëve, fshinin çdo ëndërr se aty do të mund të gjenin veten. Janë kaq të shumta stacionet e udhëtimit të tij, por në sfond kanë përpjekjen titanike për një realizim ëndërr, jo aq të thjeshtë, jo thjeshtë për të qenë dikushi, i riu që nuk do të kërkonte më para nga prindërit, që do të ishte i zoti i vetes.
Asllan Musta personifikohet lehtësisht me atë gjeneratën e brezit të humbur shqiptar të kohës së pakohë, por i brumosur me traditat më të mira shqiptare. Ndërsa dëgjon stacionet e pafundme të atij udhëtimi drejt Londrës, beson se aventurieri më i çmendur do ia kishte zili. Nga Maqedonia drejt Zagrebit për të përfunduar në Gjermani, Austri e ku peripecitë e të riut shqiptar refugjat, nuk kanë fund derisa e rikthejnë në Rinas, duke grimcuar ëndrrën e tij, por jo vullnetin për realizimin vetvetësor.
Tashmë ai kishte vendosur të provonte edhe skafin, mjetin e famshëm që të çonte drejt bregut italian, bregut të shpresës, ku me mijëra e mijëra shqiptarë donin të ishin… e shumë prej tyre ajo ëndërr u fundos… në fund të detit…
Çdo të thotë për një qënie njerëzore të përjetoi lajmin, se skafi i nisur një natë më parë drejt Italisë është përmbysur dhe disa refugjatë shqiptarë kanë humbur jetën? Ai ishte një prej tyre…ngjarje që e përjeton edhe sot… ndonëse është njëri prej shqiptarëve më të suksesshëm të Britanisë, ndër të parët që themeloi kompaninë e tij të ndërtimit dhe që në vitet ’97 kishte mbi 20 punëtorë.
Londra ka qenë thjesht një rastësi, pasi ai kishte dëgjuar për Kanadanë, dhe “ëndrra kanadeze” e solli në Londër, pas ikjes me skaf dhe stacioneve të udhëtimit nga Italia në Belgjikë ku punoi ca kohë. Të gjendeshe në Londër në vitet ’96, ku nuk njihje askënd dhe thjesht kishte dëgjuar ndonjë fjalë, kur dije më shumë greqisht, frëngjisht apo gjermanisht se anglisht, është aventurë ne vete.
Ai kujton momentet e para të mbërritjes këtu, që i kalojnë caqet e tragji-komikes por motivimi për realizimin e asaj që donte mbizotëron mbi gjithçka.
Në sajë të gjuhëve që dinte, arriti të lidhjen dhe njerëzit që do ta ndihmonin. Atëherë filloi të formësohej ëndrra e tij, ku hapat e parë dukeshin paksa të çuditshëm që me hapjen e një kompanie, llogarive bankare të biznesit, llogaritarët etj etj.
Fati? Jo vetëm. Kombinimi i fatit me përkushtimin bën të mundur realizimin e asaj që i ke vënë vetes.
Asllan Musta shfrytëzoi ato mundësi që i ofroi Londra dhe thjesht heq dorë nga ëndrra kanadeze për t’iu përkushtuar ëndrrës tjetër; asaj londineze. Është krejt normale që të studiosh dhe punosh në Londër dhe përzgjodhi degët që i duheshin dhe mori 5 diploma në fusha të ndryshme të ndërtimtarisë.
Në pak vite arriti të ndërtojë mekanizmin që do ta çonte drejt suksesit, ku përkushtimi dhe devotshmëria mbesin parime të panegociueshme, derisa sot rrezaton si shqiptari model, shembull sidomos për brezin e ri, por ndër të vetmit që guxon me investime në bursën britanike.
Ai është drejtori i disa kompanive, ku numri i të punësuarve në shumë raste i kalon 200, ku kontratat që nënshkruan kanë shifra marramendëse, ku punësimi i britanikëve të lindur, rritur, edukuar këtu është kaq normale sa përditshmëria e tij. Atdheu? A ka vend më të bukur se atdheu? –Mbase. Më të dashur?
Kurrën e kurrës. Për asnjë moment nuk e harroi dhe këtë nuk e dëshmojnë vetëm ndihma e jashtëzakonshme e pakursyer në çdo kohe apo investimet e bëra atje, por me shumë modesti ai e pranon se ka shërbyer si një universitet në vete për dhjetëra mërgimtarë shqiptarë, që i ka ndihmuar të punojnë për veten dhe është shumë krenar që shumë e shumë prej tyre, dikur punëtorë të thjeshtë në kompanitë e tij, sot kanë bizneset e mëdha, që punësojnë me dhjetëra punëtorë.
Mirënjohja është shpërblimi më i madh. Si shumë shqiptarë të tjerë ai mbetet kritik për organizimin e shqiptarëve të këtushëm, për problemet me trashëgimninë kulturore, me edukimin, për problemet e tjera të karakterit social.
Asllani krijoi një familje shembullore në Britani, një djalë dhe dy vajza që me rezultate të shkëlqyera, model në shkollat britanike dhe të edukuara me vlerat e rrënjëve, me vlerat shqiptare.
Planet për të ardhmen? Patjetër të mëdha. Asllani zgjedh tre prioritete të momentit, hapjen e një radioje për shqiptarët e këtushëm, ndërtimi i një kafeneje (klubi social) falas për brezin e tretë në vendlindje, dhe shikimi i të gjitha mundësive për ndërtimin e një ujësjellësi për 250 familje të një zone të varfër të Librazhd.
Dështime? Kur dështimi kthehet në përvojë, ajo është një fitore në vetvete. Ai shprehet se ka qenë një ndër eksperiencat më të vyera kandidimi për deputet në kuvendin e Shqipërisë, në zgjedhjet e vitit 2013. Kjo ka bërë që të ketë shumë miq të majtë apo të djathtë dhe për të ardhmen kushedi çfarë mund të ofrojë jeta.
Me një kontribut të pakrahasueshëm Asllan Musta bën thirrje për shkollimin e brezit të ri, si një hapat vendimtarë që të çojnë drejt suksesit.
Askush nuk duhet të ketë frikë nga ëndrrat. Londra ofron çdo gjë për realizimin e tyre. Duhet thjesht punë, përkushtim, devotshmëri. Suksesi do të jetë i garantuar. Vetëm kështu do të integrohemi me dinjitet në shoqërinë britanike.
“Udhëtimi im”- Klajdi Bregu: “Nëse ne heqim dorë nga inferioriteti dhe i besojmë më shumë njëri-tjetrit, do të ndikojë edhe në jetën në atdhe”
Kur ballafaqohej me racizmin grek ndërsa ishte student, mbase nuk e kishte menduar që një ditë do të ishte profesor...















