Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka deklaruar sot se SHBA-të shpresojnë të shohin më shumë bashkëpunim midis hetuesve, prokurorëve dhe sistemit gjyqësor shqiptar për të rritur numrin e ndjekjeve penale dhe dënimeve për autorët e trafikimit të njerëzve, duke ftuar kësisoj qeverinë shqiptare të kontribuojë më shumë në këtë drejtim, pasi mbështetja e SHBA-ve nuk do të mungojë.
“Ne shpresojmë që të shohim më shumë bashkëpunim midis hetuesve, prokurorëve dhe sistemit gjyqësor për të rritur numrin e ndjekjeve penale dhe dënimeve për autorët e trafikimit. Ne shpresojmë të shohim një numër më të madh viktimash të identifikuara dhe të ndihmuara,- ka deklaruar ai. – Ne do të donim të shihnim rritje në fondet ndaj organizatave joqeveritare që strehojnë dhe ofrojnë shërbime e ndihmë për viktimat… Në fund të ditës, kjo është një luftë për të mbrojtur dinjitetin thelbësor njerëzor. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të mbështesim qeverinë shqiptare dhe shoqërinë civile për të bërë pikërisht këtë gjë.”
Deklarata e ambasadorit u bë në Konferencën për Prezantimin e Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore 2014 – 2017, ku ai ishte i ftuar. Në konferencë merrnin pjesë edhe z.Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm, znj. Elona Gjebrea, Zv.ministrja e Brendshme dhe Koordinatorja Kombëtare për Anti-Trafikimin, Ambasadorja e Bashkimit Europian Romana Vlahutin, z.Nicholas Cannon-Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, znj.Zineb Touimi Benjelloun – Koordinatore e Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues të ministrive të ndryshme, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik.
TAHIRI: SKLLAVERINE MODERNE TA LUFTOJME TE GJITHE BASHKE
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në fjalën e tij deklaroi se lufta ndaj trafikimit të njerëzve është prioritet i qeverisë. Nga konferenca “Strategjia e Luftës kundër Trafikimit të Personave”, që u mbajt sot në Tiranë, Ministri i Brendshëm tha se “skllavërinë moderne duhet ta luftojmë të gjithë bashkë”.
“Viktimat e shfrytëzimit seksual, problem serioz. Duhet të dallojmë punën reale të institucioneve tona. Bashkëpunimi është i nevojshëm për dimensionin real të fenomenit. Janë shtuar kërkesat për azil por është ulur pranimi i tyre. Janë shtuar kërkesat e falsifikuara për azil”, tha Tahiri.
Ai theksoi se duhen zgjidhur fillimisht problemet ekonomike për uljen e kërkesave për azil dhe për minimizimin e trafikut të qenieve njerëzore.
“Të zgjidhen problemet, që në thelb janë ekonomike. Është vepër penale të lësh fëmijët në BE dhe të sigurosh azil nëpërmjet fëmijëve. Shkaqet e vërteta të trafikut janë familjare e institucionale. Kemi shumë rrugë për t’iu dhënë zgjidhje shkaqeve”, tha ministri Tahiri.
















