Policia e Serbisë ka arrestuar shefin e policisë së rajonit të Mitrovicës, Nehat Thaçin, i cili është akuzuar nga Gjyqi i Lartë në qytetin jugor serb në Nish, për vepër terrorizmi.
Policia serbe ka bërë të ditur në një njoftim të shkurtër për shtyp se një person ku përmenden vetëm inicialet dhe data e lindjes, nga qyteti i Ferizajt, është arrestuar në bazë të fletarrestit të lëshuar nga gjykata.
Thaçi është arrestuar në kalimin zyrtarë Dheu i Bardh në afërsi të Bujanocit pasi së bashku me një mik të tijin ishte nisur drejt Europës Perëndimore në pushim dhe jo në udhëtim zyrtar. “N.Th, është arrestuar mbrëmë rreth orës 20:00, gjatë procesit të dhënies së vërtetimit të hyrjes në Serbinë qendrore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Thaçi është dërguar në qendrën e paraburgimit pasi gjykata e Nishit ka dhënë një vendim të tillë në vitin 2010.
Policia e Serbisë, e kontaktuar nga Top Channel, nuk ka dhënë më shumë informacion. Policia e Kosovës ka bërë të ditur arrestimin e tij dhe siç është thënë është kërkuar sqarim përmes EULEX-it lidhur me arrestimin e tij. Policia serbe pati arrestuar edhe në vitin 2012 dy policë në kufirin Kosovë-Serbi në kryerje të detyrës, të cilët më pas u liruan.






















