Sulmi barbar ndaj administratorit të kompanisë “Omnix”, Fadi Mitri, po jep efekte negative në investime. Një tjetër kompani e huaj humbet 15 milionë euro investime pas sulmit barbar ndaj administratorit të “Omnix”, që do të ndërtonte resortin turistik në Gjirin e Lalzit.
Kompania angleze “Chapman Taylor”, lider në botë në fushën e arkitekturës për projektim, nëpërmjet një njoftimi zyrtar lajmëroi humbjen e 13 milionë paundëve apo të 15 milionë eurove nga kontrata që kishte lidhur me “Omnix”. Kompania angleze kishte hartuar projektin e resortit turistik dhe do të mbikëqyrte zbatimin e tij deri në vitin 2018.
“Shkak i humbjes së kontratës prej 13 milionë paundësh të kompanisë ‘Chapman Taylor’, ishte sulmi barbar i Fadi Mitrit, i cili u masakrua në prani të bashkëshortes dhe vajzës 7 vjeçare, ndërsa udhëtonte rrugës së aeroportit të Tiranës. Kjo e detyroi kompaninë ‘Omnix Albania’ të vendosë tërheqjen e investimit nga Shqipëria. ‘Chapman Taylor’ dënon sulmin dhe i vjen keq për humbjen e mundësisë për të punuar së bashku me ‘Omnix’ për zhvillimin e Gjirit të Lalzit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
I kontaktuar nga “Panorama” drejtori i përgjithshëm i kompanisë angleze, Chris Lanksbury, u shpreh se nga sulmi barbar ndaj administratorit Fadi Mitri, Shqipëria humbi reputacionin për investime, ndërsa kompania “Chapman Taylor” do të mendohet dy herë nëse do të vendosë të investojë përsëri në Shqipëri.
“’Omnix’ është përpjekur për të zhvilluar një destinacion turistik, i cili do të sillte kredite për vendin dhe punësimin e qytetarëve. Në të gjitha takimet isha me Fadi Mitrin. Ai gjithmonë ka bërë përpjekje të mëdha për t’u treguar të gjithëve se çfarë potenciali të madh ka në Shqipëri dhe pastaj ndodhi ky incident i tmerrshëm”, u shpreh ai.dritare.net






















