Vendimet e gjyqësorit shpeshherë janë përdorur si justifikim për kryerjen e krimeve të tjera. Një nga ato raste është edhe një vendim i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që mund të përdoret si precedent i rrezikshëm nga drejtësia, e cila me të drejtë mund të quhet edhe si “e kalbur”. Kjo gjykatë i ka pranuar gjykimin e shkurtuar një autori të vrasjes për gjakmarrje. Më parë, Festim Korra nga Elbasani ishte dënuar me 33 vite burg, ndërsa Apeli ia uli në 22. Vendimi është dhënë në tetor dhe familja e viktimës Hyqmet Pisha ka vendosur të apelojë në të gjitha strukturat shtetërore. Kjo familje kërkon rikthimin e gjykimit, duke e quajtur këtë vendim të gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda absurd dhe në shkelje të ligjeve shqiptare. Vendimi është dhënë më 22 tetor të vitit 2014 nga Kolegji, i përbërë prej kryetarit Amarildo Laçi. Ky vendim është apeluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, kundër Festim Korrës me masën e sigurimit personal shtrëngues arrest me burg të paekzekutuar, i gjykuar në mungesë, i mbrojtur nga avokati Saimir Vishaj.
Argumentimi i vendimit
Motivi i gjakmarrjes që e shtyu të pandehurin Festim Korra t’i merrte jetën viktimës Hyqmet Pisha, në dallim me sa ka argumentuar në vendimin e saj të mospranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar Gjykata e Shkallës së Parë, kishte dalë fare qartë dhe pa ekuivok nga të gjitha deklarimet e familjarëve respektivë të familjeve në hasmëri Pisha e Korra. Rrjedhimisht, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë bëhet i cenueshëm në referencë të nenit 3 të K.Pr.Penale, ndaj pasojat e mosaplikimit të benefiteve të gjykimit të shkurtuar duhen korrigjuar nga Gjykata e Apelit, duke i zbritur dënimit të dhënë nga gjykata për Krime të Rënda një të tretën dhe duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Festim Korra me 22 vjet burg. Në përfundim, gjykata lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, por me ndryshimin thelbësor.
Vrasja për gjakmarrje
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda theksohet se për motivet e gjakmarrjes të shtetasit Hyqmet Pisha nuk pati kundërshtime lidhur me kualifikimin juridik, autorësinë e të pandehurit Festim Korra dhe motivet që e kanë shtyrë të pandehurin në marrjen e jetës së “hasmit” të tij, por mbrojtja pretendoi në Apel se ajo është kryer në praninë e rrethanës lehtësuese të kryerjes së veprës penale të shkaktuar nga provokimet e padrejta të viktimës. Gjykata e Shkallës së Parë ka pranuar akuzën e prokurorit, duke argumentuar se me veprimet e tij, i pandehuri ka vrarë me armë zjarri Hyqmet Pishën për marrjen e gjakut të vëllait të tij, Qemal Korra, të provuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, se është vrarë nga viktima Hyqmet Pisha në vitin 1999. Gjykata, me analizën e provave të verifikuara në gjykim, konkludon se veprimet e të pandehurit Korra janë kryer me dashje të drejtpërdrejtë të nxitur nga konstatimi i rastësishëm i viktimës Pisha në të njëjtin vend në qytetin e Elbasanit, zyrat e gjendjes civile, ku secili prej tyre kishte ardhur për të marrë shërbime. Pra, Kolegji çmon se nga provat e marra nuk provohet se i pandehuri Korra ta ketë paramenduar këtë vrasje. Gjykata ka vendosur riparimin e pasojave të gjykimit të shkurtuar. Kështu në argumentim, Kolegji e gjen të papërligjur mospranimin e gjykimit të shkurtuar në referim të neneve 403 e vijues të Kodit Penal. Me vendimin e tetorit, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka vendosur të lërë në fuqi atë të Gjykatës së Shkallës së Parë, por duke i dhënë gjykimin e shkurtuar që, sipas trupit gjykues, përfitohet pasi vrasja nuk është kryer me paramendim, por nga gjakmarrja, pasi janë hasur rastësisht në të njëjtin vend, si dhe provat janë të qarta që hedhin poshtë vendimin për të mos i dhënë të drejtën e përfitimit të gjykimit të shkurtuar të pandehurit i shpallur në kërkim dhe i dënuar në mungesë.
13 qershor 2013
Hyqmet Pisha kishte aplikuar për pasaportë biometrike dy orë para se të ekzekutohej. Ai sapo kishte dalë nga burgu dhe pasi kishte bërë të gjitha dokumentet, kishte aplikuar edhe për pasaportë. Pas aplikimit, Pisha është ndalur te lokali ngjitur me sportelin e pasaportave për të pirë një birrë. Nga dëshmitë e punonjësve mësohet se ai ishte i qetë dhe pa ndonjë problem në dukje. Dokumentacioni i paraqitur në zyrën e aplikimit ka qenë i rregullt dhe ai ka përfunduar me sukses aplikimin. Por, pak minuta më pas, qëllohet nga Festim Korra disa herë, duke plagosur rastësisht edhe një kalimtare. Nga ajo kohë, Festim Korra, i akuzuar për vrasjen e Hyqmet Pishës, është në kërkim nga policia.
Hasmëria
Dy fise në fshatin Benë të Elbasanit kishin një hasmëri të vjetër mes tyre. Shumë vite më parë, një burrë nga fisi i Korrajve kishte vrarë një tjetër nga fisi i Pishajve. Në vitin 1997, Hyqmet Pisha zbret nga autobusi i linjës Korrën, dhe e qëllon atë me një armë automatike. Pak kohë më vonë ai arrestohet dhe në vitin 2000 dënohet me 15 vjet heqje lirie. Kryen dënimin deri në vitin e fundit, përfshirë dy vite të falura nga Presidenti në vitin 2009.
















