Banorët në zonën e ish-Kënetës në Durrës kanë protestuar për të dytën herë brenda pak ditësh. Me pankarta në duar, ata kanë shprehur ankesat e tyre kundër ndërprerjes së energjisë elektrike për shkak se nuk kanë mundësi ta paguajnë. Banorët kanë kërkuar faljen e kamatvonesave për shkak të mungesës së punësimit në familjet e tyre. Ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Protestë e së njëjtës natyrë është zhvilluar në Peqin, ku banorët kanë kundërshtuar arrestimet e kryera në kuadër të aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Ky aksion kombëtar i OSHEE vijon prej rreth një muaji, e ndërkohë janë arrestuar dhjetëra familjarë, pronarë biznesesh dhe punonjës të OSHEE që akuzohen për shpërdorim detyre.
















