Kanë kaluar tre ditë nga zhdukja e peshkarexhës “Çelepia 2” dhe ende nuk ka asnjë të dhënë mbi fatin e dy marinarëve shqiptarë, të cilën ndodhen në bordin e saj.
Marinari egjiptian, Adel Mohamed Sallam, dy ditë më parë kontaktoi me një bashkëkombasin e tij në Durrës, duke thënë se kishte marrë peng dy shqiptarët, Dhimitër Malja dhe Luan Mema dhe se do të fundoste anijen, nëse nuk i paguheshin 70 mijë euro.
Për ta bërë sa më të besueshme pengmarrjen, egjiptiani dërgoi dhe një foto të një nga marinarëve shqiptarë, të cilin e kishte lidhur me zinxhirë dhe litar.
Fotoja e mëposhtme, sqaron pengmarrësi është bërë në portin e Aleksandrisë në Egjipt, aty ku ndodhet edhe peshkarexha sipas tij.
Autoritet shqiptare nuk mund të përcaktojnë se ku është anija, pasi është fikur aparatura e “blue box-it”.
Ndërsa autoritetet egjiptiane sqarojnë se nga kërkimet e bëra nuk kanë mundur të gjejnë anijen në portin e Aleksandrisë, raporton Klan Tv.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në dorë hetimet për veprën penale të gjobëvënies. Ka dyshime se marinarët shqiptarë mund të jenë bashkëpunëtorë të egjiptianit, për motive që janë ende të paqarta.















