Tashmë që tetorin e lamë pas dhe nëntori filloi rrugëtimin e vet, bindem se një kauzë e rëndësishme si “lufta kundër kancerit të gjirit” nuk mund e nuk duhet të reklamohet vetëm si kalendar njëmujor. Padyshim që ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i grave ndaj kësaj sëmundjeje arriti të bëhej temë e ditës gjatë tetorit, por shumë gjëra nuk ecën siç pritej dhe mangësi të shumta dolën në pah. Duke qenë se nuk jam eksperte, nuk do të ndalem në trajtimin mjekësor të sëmundjes, por në këtë shkrim dua të ndalem në dimensionin njerëzor, në mendësinë e grave, të shoqërisë dhe të shtetit në trajtimin e kancerit të gjirit. Fjalët kyçe të së gjithë fushatës ndërgjegjësuese e të cilat s’duhet të ndalemi së përsërituri janë: Parandalimi i sëmundjes!! Parandalimi është faza e parë, ajo më e rëndësishmja, e cila mund të shpëtojë shumë jetë nënash, jetë grash dhe vajzash. Parandalimi është faza kyçe ku ndërgjegjësimi për mbrojtjen e gjirit dhe kontrolli tek mjeku janë parathënie për një shëndet të garantuar të femrës. Tek parandalimi duhet përqendruar vëmendja e institucioneve shtetërore dhe e gjithë shoqërisë. Po ku jemi me këtë fazë? Si deputete, kryetare e komisionit parlamentar të shëndetësisë dhe çështjeve sociale këmbëngul se puna në terren, kontakti sy më sy, dorë më dorë e zemër më zemër me gratë, na bën ne politikanët më të përgjegjshëm, më efektivë në këtë sfidë e në fund të fundit edhe më humanë. Është bindja ime që një politikë e ndërgjegjshme dhe me vullnet të mirë bëhet aleatja më e fortë e të drejtave të njeriut, sikurse është dhe e drejta për shëndet dhe kujdes mjekësor e çdo individi pavarësisht statusit social e gjinor. Dhe tetori – simboli i fushatës kundër kancerit na i dha mundësitë për më shumë kontakte e kuptim real të situatës. Por realiteti rezulton i errët, pa ngjyrat rozë apo të ndezura të shifrave dhe të dhënave të dokumenteve që depozitohen në zyrat e Parlamentit, ministrive apo dhe nga seancat dëgjimore, ndonjëherë të bëra edhe si detyrime të rëndomta burokratike apo konkurrencë faktorizimi femëror. Edhe duke folur në gjuhën e shifrave zyrtare shpeshherë të rrëmujshme apo konfuze, më rezulton se sëmundja po ulet këmbëkryq nga viti në vit, dhe trendi i saj duhet të jetë një këmbanë alarmi për çdo grua sot dhe për të gjithë shoqërinë nesër. Shkaqet zotëruese?: varfëria, mentaliteti i vështirë për t’u ndryshuar në raportin mes rolit mjekut dhe detyrës së grave për t’u vizituar, edukimi dhe arsimimi i cunguar dhe sipas meje, njëfarë braktisjeje që ne shoqëria cinike urbane u kemi bërë njerëzve të rrethinave, për të mos folur për gratë e komunave dhe fshatra të thella. Nuk mund të lihet i injoruar dhe angazhimi tejet i lodhshëm, mbingarkesa e grave në karrierë dhe superwoman në shoqërinë moderne në përpjekje për të konkuruar denjësisht në çdo fushë me burrat. Mbingarkesë, e cila shpeshherë na bën që të “harrojmë” të ndalemi për pak çaste e t’i japim kohë vetes për t’u kujdesur për trupin tonë. Po shteti?? Rregullatori dhe ekuilibruesi i hendeqeve në një shoqëri tregu?? Në rastin e kësaj sëmundjeje qëndron indiferent me arrogancë dhe pse jo, përfitues nga prapambetja…apo edhe nga pafuqia për të “bërtitur me zë të lartë” e gjysmës “më të mirë” të popullsisë.
Me keqardhje u bëmë dëshmitarë në mamografitë e lëvizshme e të palëvizshme, që u kthyen në inserte televizive dhe subjekte për kronika televizive apo fotosh për facebook në retorikën dhe propagandën e rëndomtë qeveritare ndaj kësaj kauze. Kryeministri arriti deri aty sa gjirin e femrës ta sillte në ndërgjegjësim për publikun mashkullor si objekt erotik me ngjyra të ndezura dhe jo si organin e jetës që mëkon me dashuri e humanizëm brezat ndër shekuj. Edhe nëse i vetmi sukses, ai i numrit të rritur të grave të ndërgjegjësuara, u pasua nga ecejaket e tyre të lodhshme sa në një spital në tjetrin, duke mos mundur të bëjnë dot jo një mamografi, por shpesh as një echo të thjeshtë gjiri, të shoqëruara nga arroganca dhe burokracia shtetërore, e cila kulmoi edhe në ndërprerje të pagesave minimale të invaliditetit për disa gra të prekura nga kanceri i gjirit, apo edhe në flakjen në rrugë nga puna në administratë. Interesat e ngushta politike, edhe në këtë rast tejkaluan dhe mbizotëruan atë pak humanizëm që mund të mbulonte tetorin rozë në përpjekje për të siguruar atë çka duhet të jetë në fakt një e drejtë për çdo individ. Në shoqërinë tonë, ku gratë mbijetojnë në terren të vështirë ekonomiko-social, lufta kundër kancerit nuk mund të ofrohet si simbolikë arti e Rilindjes evropiane, ku një gjoks perfekt i Pranverës së Boticellit të nxisë gratë edhe më shumë për t’u mbrojtur nga kanceri. Ajo çka kërkohet nga ne njerëzit e politikës apo dhe të ekzekutivit, është të gjejmë dhe të vëmë në funksionim mekanizmat me kostot më të ulëta ose dhe zerim të tyre, për të kryer procedurat dhe praktikat për diagnostifikim, trajtim dhe kurim të kancerit të gjirit për të gjitha gratë. Vëmendja jonë duhet përqendruar më së shumti në zonat rurale, në mënyrë që grave t’u mundësohet akses i barabartë si në qytet, ashtu edhe në fshat. Kjo përqasje duhet të praktikohet, dhe sa më parë dhe me dinjitet, për gratë në nevojë, me ndihmë sociale ose jo, kryefamiljaret dhe pensionistet. Dimensioni social, krejt i munguar në etatizmin e Rilindjes Rama–Meta, më së shumti dëshmohet në shëndetësi, që shpeshherë zbërthehet në kosto shumë të larta dhe jetë njerëzish. Tetori, në dimensionin njerëzor dhe human, duhet të na bashkonte e jo të na ndante. Ndaj betejën, dhe kësaj radhe na bie ta fillojmë dhe ta sfidojmë ne gratë, sepse ne mund t’ia dalim kudo ku jemi e punojmë, qoftë në politikë apo bashkëpunim me shoqërinë civile. Sepse kjo është betejë në emër të jetës, në emër të dashurisë për fëmijën për familjen dhe për një të ardhme më me shpresë të shoqërisë sonë.
















