(Ditë më parë (23.10.2014), në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë, u hap ekspozita personale e fotografisë artistike e krijuesit tone të njohur Prof, Afrim Spahiu)
Kopertina e katalogut të ekspozitës
Afrim SpahiuDuke i parë të gjitha krijimet në tablotë e fotografive, detajet e trajtuara dhe të përzgjedhura nga synari i Afrim Spahiut, patjetër duhet ta pranojmë se, ideja e gjithë formulimeve dhe perspektiva e theksuar e objekteve drejt qiellit, na dhurojnë diçka të bukur me një dimension dhe trajtë të kultivuar artistikisht.
Edhepse arkitektura moderne kryesisht nxjerr në pah formën e jo strukturën, ajo dallohet për nga format e thjeshta të zhveshura nga zbukurimet klasike, për t`i zëvëndesuar ato me formulime të një fryme moderne dhe funksionale, në ruajtjen e sipërfaqeve tokësore, duke e avancuar shtrirjen e ndërtimeve vertikale, që në fakt, na bëjnë më të përgjegjshëm në projektimet ndryshe nga e kaluara jonë. Pra, në bazë të të arriturave teknologjike në fund të shekullit XIX në arkitekturën moderne vërehet një stil i komponuar me sipërfaqe kryesisht të rrafshta. Për këtë më së miri është shprehur arkitekti i njohur zvcerian, (Pierre Jeanneret), me veprën e tij ”Pesë principe të betonarmesë”, me çka u arrit kulmi i arkitekturës moderne.
Në ekspoziten e fotografisë artistike, krijuesi ynë prof. Afrim Spahiu, sikurse ndryshimet arkitektonike, edhe ky mjeshtër veçan në profesionin e fotografisë, kësaj radhe na paraqitet ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim tek ky krijues qëmoti i formuar në fushën e krijimtarisë por, edhe në cilësinë e pedagogut universitar. Tani, prof. Spahiu, me këtë ekspozitë, me të drejtë na servon diçka ndryshe nga fotografia e tij piktoreske, sepse, koha dhe hapësira në të cilën jetojmë, na dikton të edukohemi edhe me një dimension ndryshe, me pamje dhe qasje tjetër, të të jetuarit nga e kaluara në të tashmën, nga e tashmja në të ardhmën tonë urbanistike.
Së këndejmi, kur shohim tablotë e fotografive të realizuara nga opusi krijues i artistit tonë, të ideuara dhe të frymëzuara nga arkitektura bashkëkohore – artisti në fjalë na bënë të kuptojmë se, arkitektura është kuptim i gjërë ku dominon ngritja vertikale, që në kuptimin figurativ na zbulon metaforën e ngritjes dhe të arriturat teknologjike drejt avancimeve të reja në kuptimin e gjithmbarshëm në shumë fusha. Në këtë kontekst, Spahiu me kamerën e tij bënë shenjëzimin e shumë stileve, për të na dhuruar një pasqyrim lucid dhe sa më cilësor, me karakteristikat e veçanta arkitektonike, të cilat për herë të parë paraqiten në fillim të shekullit XX. Më tutje, Spahiu, me edukimin profesional dhe afinitetin e tij prej krijuesi të mirëfilltë,
mjeshtërisht nxjerrë në pah të veçuaren arkitektonike, duke e sendëzuar në përmbajtje dhe trajtë artistike që kapet nga shqisat e secilit prej nesh, duke e kuptuar thelbin dhe qëllimin e artistit për t`i vënë në plan të parë formulimet artistike, për ta përmbushur dhe plotësuar vepren e tij edhe me një dimension tjetër, pra, me atë artistik. Këtu pra, z. Spahiu, me idenë dhe punën e tij krijuese na fut në funkncion edhe shqisën e të shijuarit vizuel, për t`i kuptuar dhe shijuar mrekullitë e arkitekturës dhe formulimet e detajeve të trajtuara artistikisht.
Pra, krijuesi ynë z. Spahiu, objektet nuk i sheh vetëm si ndërtesa banimi apo biznesi, por si produkt i mendjes së njeriut krijues, gjegjësisht, si kreacione të artit të arkitekturës. Ndaj, artisti në fjalë, nga gjithë objektet para tij të ngritura me sy drejt qiellit, mjeshtrisht e vjelë botën e tyre të jashtme si pjesë përbërëse e artit dhe kulturës së ndërtimit. Ai i lexon dhe i fokuson detajet më interesante për shikuesin, ku gërshetohet horizontalja me vertikalen, vetrikalja me këndoren dhe, si të përbashkëta na japin një terësi të harmonisë vizuele. Të gjitha këtyre mrekullirave, duke e njohur mirë teorinë e hapsirës, Afrimi – pa drojë dhe asnjë mund u bënë vend në katrorin e tij magjik.
Tani, duke i parë të gjitha këto krijime në tablotë e fotografive, detaje të trajtuara dhe të përzgjedhura nga synari i Afrim Spahiut, patjetër duhet ta pranojmë se, ideja e gjithë formulimeve dhe perspektiva e theksuar e objekteve drejt qiellit, na dhurojnë diçka të bukur me një dimension të kultivuar artistikisht. Këtu, në këto pamje, me ndërhyrjen profesionele të artistit tonë, na mundësohet ta shohim edhe dimensionin e tretë, rrallëherë të parë në rrafshin e fotografisë. Pra, objektivi ktyesor i prof. Spahiut, është synimi i fokusuar në shtjellimin e trajtës artistike në veprat e tij, për ta kapur pikën kulmore në realizimin e fotografisë profesionale, si kriter kryesor, me të cilin artisti ynë zë vendin meritor në panteonin e arteve pamore dhe panoramen e gjërë kulturore këtu e më gjërë.















