Nga Skënder Mulliqi
Kur ende nuk janë fashitur krejt të gjitha përjetimet e mira dhe të këqija pas ndeshjes që mori konotacione politike në Beograd ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në futboll, dhe vërshimit me komente ndër më të ndryshmet rreth kësaj ngjarjeje sportive nga shtypi botëror dhe shtypi shqiptar, e që kjo ngjarje më shumë ishte arenë lufte e kurdisur qëllimisht nga serbët e rebeluar, vëmendja ngadalë po kthehet se si do të formohen institucionet e reja të shtetit në Kosovë. Serbët mirë e shfrytëzuan këtë vakuum do të thosha institucional për t’i provokuar shqiptarët me grafite në Manastirin e Deçanit, e të cilat grafite vetë i kanë kurdisur siç e kanë mësuar këtë punë të ndytë moti, që faji pastaj të bie mbi shqiptarët. Këtë e ka pranuar edhe babai i kombit serb, Dobrica Qosiqi, i cili kishte deklaruar se “Ne serbët, nëse është nevoja, do të gënjejmë edhe 100 herë, derisa ajo gënjeshtër të bëhet e vërtetë”.
Edhe në Beograd serbët e përgatitën skenarin e turpit që të përfitojnë politikisht nga panorama e zymtë që e krijuan në stadiumin e futbollit të “Partizanit”, pikërisht para vizitës së Putinit në Serbi, që ta bindin atë se populli serb është “hyjnor’ dhe duhet të përkrahet nga Rusia më fuqishëm në planet hegjemoniste karshi shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Në anën tjetër, vizita e planifikuar e Edi Ramës atyre do t’u sjellë poena politikë. Kjo u pa edhe nga akuzat e rënda të kreut të Serbisë pas takimit futbollistik me skuadrën e Shqipërisë. Zbritja e flamurit kombëtar (të stilizuar) në fushën e futbollit, ishte vetëm një pretekst më shumë, që edhe një herë tjetër të zbrazet shovinizmi primitiv, me incidente shumë te rrezikshme.
Por, me gjasë, e gjithë kjo e ligë që e përgatitën do t’u kthehet si bumerang, edhe pse po gjejnë ngapak përkrahje nga strukturat më të larta të futbollit evropian. Të shohim rrjedhën e ngjarjeve, dhe të shpresojmë që serbët do të dënohen për veprimet e tyre makabre në atë mbrëmje të ferrit.
Tash ne duhet t’i kthehemi normalitetit të gjendjes politike në Kosovë, që t’i formojmë organet e reja të shtetit. Nëse me zgjedhje të mira deri diku e kemi dhënë provimin e demokracisë, kësaj radhe me këtë stërzgjatje kemi ra shumë në provim. Kjo garniturë politike ka dhënë shembull jo te mirë, duke i shpërfaqur haptazi interesat personale para interesave të kombit. Pas vizitës së senatorit amerikan Cristofepher Murphy, ngërçi politik – siç po thuhet ka filluar ndoshta edhe të gjejë një zgjidhje. Senatori Marfi pas disa muajve i bëri bashkë Thaçin, Ramushin dhe Isën. Ai paraprakisht deklaroi se partitë politike duhet të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës, madje edhe nëse ajo krizë nënkupton sakrifica personale për të mirën e vendit. Me kërkesën e senatorit amerikan edhe u mbajten tri takime ndërmjet Thaçit, Haradinajt dhe Mustafës. Ata ishin bashkë të pranishem edhe në Darkën e Lamës si festë tashmë tradicionale e iniciuar nga presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Shumë ka mundësi dhe po përfolet që do të kemi më në fund koalicion midis PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Dhe dihet se ky koalicion i ‘imponuar”, është koalicion në fakt i vjetër sepse këto tri subjekte politike edhe më parë e kanë udhëhequr bashkarisht shtetin me formula pak më ndryshe.
Presidentja Atifete Jahjaga ka bërë thirrje për përkushtim më të madh në të mirë të vendit. Ajo në fjalimin e saj në shënimin e “Darkës së Lamës”, ka thënë se festimi i kësaj ngjarje, duhet të shërbejë për të gjitha subjektet politike, që të bashkëpunojnë në formimin e institucioneve të reja. Stagnacionit në të gjithë fushat e jetës i duhet dhënë fund sa më parë, se në të kundërtën, gjithçka do të vihet në peshore të madhe si në aspektin e zhvillimeve politike, ekonomike dhe të gjendjes së sigurisë.
















