Nazim RASHIDI
Mbase nuk do të duhej të ishte befasi, por sërish, duke qenë njeri i medies dhe duke synuar vazhdimisht se media e ka për detyrë kujdesin dhe mbajtjen e etikës gjatë komunikimeve më shkaktoi çudi kur hasa përdorimin e fjalëve degraduese dhe ofenduese në mediat serbe për shqiptarët. Profesioni më ka dhënë mundësi të komunikoj dhe të flas me shumë njerëz nga e gjithë bota. Nuk ka dilema dhe nuk dua të ushqej stereptipe se “të gjithë serbët janë një lloj”.
Por kam qenë dhe jam kundër përdorimit dhe botimit apo proklamimit të fjalëve që poshtërojnë një individ apo një grup të tëre, për çfarë do arsye dhe u befasova dhe u shokova kur në disa postime në rrjetet social nga mediat serbe pashë përdorimin fjalëve ofenduese për shqiptarët të cilat mendova se nuk përdoren më.
Sigurisht shkak ishin zhvillimet rreth ndeshjes mes kombëtareve të Serbisë dhe Shqipërisë.
Për ne që flasim gjuhët e Ballkanit, nuk ishte e vështirë të dëgjojë ofendimet dhe thirrjet për vdekje që bëheshin në stadium. Por është më e trishtë e gjithë situata kur thuajse i njëjti fjalor përdoret në media.
Në shumë raste, në tekste dhe tituj “shiptari” që është ekuivalenti i “nigger” që përdorej për zezakët, gjendej i botuar në tekste të mediave serbe. Nëse në shekullin që jetojmë, etika dhe komunikimet sugjerojnë një kujdes të jashtëzakonshëm, imagjinoni çdo të ndodhte nëse vende të ndryshme të Evropës apo në çdo vend tjetër, do të përdoreshin fjalë me kontekst të theksuar racist.
Ajo që të habit edhe më shumë është dhe mllefi dhe arroganca e disa mediave kur citoheshin zyrtarë shqiptarë. Për Kryeministrin Rama thuhej se “pështyu” në vend se “tha” apo “deklaroi”. Si një “fëmijë” i tranzicionit të tmerrshëm post jugosllav, e tëra më kujtoi retorikën e tmerrshme të viteve ’80. Në atë kohë “shiptarët” ishin fajtor për çdo gjë, dhe termi përdorej lehtësisht në mediat zyrtare. Por tashmë jemi në kohë të tjera, janë bërë aq takime dhe komunikime mes shqiptarëve dhe serbëve, mes njerëzve te medies dhe të tjerë, dhe është shokuese që një retorikë e tillë të shfaqet edhe sot në media dhe pa asnjë kujdes.
Kujtoja se gjërat vërtetë kanë lëvizur, por…Në një debat për Shërbimin Botëror të BBC-së të mërkurën, menjëherë pas ndeshjes që është në fokus ndërkombëtar, një gazetare serbe, ndonëse korrekte në citime, ishte plotësisht e bindur se vëllai i Kryeministrit Rama kishte drejtuar dronin me flamurin. E thënë kjo nga zyrtarët më të lartë të shtetit serb, lajmi mori dhenë. Është thuajse e paimagjinueshme të ngrihej dyshimi se kjo mund edhe të mos jetë bërë nga “i akuzuari” e ku më të sugjerohej se ai se ka bërë në gjë të tillë. Psikoza kundër shqiptarëve qenka aq e thellë sa që edhe tek media e deri tek njerëzit me pushtet më të lartë, nuk ka dilemë se “fajtor” janë vetëm shqiptarët. Pa asnjë fakt, vetëm e vetëm se në panik duhej të gjendej një fajtor, për kush e di se çfarë qëllimi u piketua Olsi Rama. Është thjeshtë e papërshkruajtshme ndjesia që merr një brez i tërë, sidomos i atyre që kanë jetuar në ish Jugosllavi, që ka kaluar gjithë atë tension dhe urrejtje të derdhur me propagandë të fuqishme kundër shqiptarëve dhe të shohë që kjo makineri vihet në lëvizje aq lehtë në një kohë krejt tjetër dhe me një kontekst të ndryshëm politik. Aq sa marrëzinë ta besojnë të tërë, se edhe i vëllai i Kryeministrit mund të ishte ngritësi i flamurit.
I gjithë rasti do të duhet të vetëdiesojë “naivët” se komunikimet personale (siç kam dhe unë vetë) me njerëz korrekt dhe të hapur, mund të ndryshojnë struktura dhe sisteme të rrënjosura me vite në mentalitetin e përgjithshëm serb. Shikoni Maqedoninë, në komunikime të ditë përditshme në të gjitha nivelet dhe sërish paragjykimet janë aty. Nga të dyja anët pa diskutim. Mentaliteti dominant shqiptar sot është i prirë drejtë hapjes, drejt komunikimeve dhe drejt Evropës, por kjo as që do të vihet re, as që do të shihet dhe as që do të pranohet për edhe shumë kohë nga ata që vënë në dyshim normalitetin shqiptar dhe për normale kanë të bëjnë fajtorë shqiptarët me çdo kusht dhe në çdo rast.
Aq më pak mund të kërkohet mendje e hapur nga një garniturë zyrtarësh serb që jo vetëm vinë nga shkolla millosheviçiane por janë dhe iniciues të saj dhe sot me pushtet. Ata dhe të tjerë paragjykues as që do të shohin dhe as që do të mundohen të vënë re, e ku më të kuptojnë, debatin dhe vetëkritikën (aq të nevojshme dhe të shëndetshme) që ndodh mes shqiptarëve.
Në një nga komentet e shumta që lexova ishte dhe një pranim se mbase “droni dhe flamuri ishte një shaka e keqe”. Për një publik të gjerë evropian e përtej, një flamur, një lojë me dron, është thjeshtë një mënyrë inovative shprehjeje. Por thirrjet e vazhdueshme për dhunë, për vdekje, dhe vetë dhuna ndaj sportistëve nuk mund të shpjegohen. (Në fakt munden…)
Por në këtë eufori totale marrë shkas nga gjithë kjo ngjarje, që mori jehonë globale dhe interes mediatik vetëm më pak se ebola, do të duhet të ngrejë dilemat edhe të sjelljeve tona në të ardhmen.
Drone të shumta do të ngrihen tashme në shumë stadiume, mesazhe të ndryshme do të jepen dhe dërgohen në forma “moderne”. Po kritika duhet fokusuare dhe në vetë kritikë. Kjo lojë dornesh nuk duhet shndërruar në “loja” të tjera të padenja për atë që themi që jemi. Provokime do të ketë edhe për shqiptarët. Prandaj sfida e ardhshme është sjellja sonë në raste kur dronet do tu vendosen shqiptarëve.
Lexuar: 79 herë




































