Nga Besnik Terziu
Ashtu si me armët kimike Edi Rama po sfidon opinionin publik në Shqipëri dhe refuzon të anulojë vizitën e tij në Beograd duke vendosur imazhin e tij mediatik mbi interesat dhe ndjesitë e shumicës së qytetarëve shqiptarë që nuk duan që Kryeministri shqiptar të shkojë në Serbi. Pas ngjarjeve të fundit në stadiumin e Beogradit ku u derdh lumi i urrejtjes raciste dhe kombëtare kundër shqiptarëve, opinioni qytetar në vendin tonë priste që të kishte një sens dinjiteti në qëllimet dhe vendimet e Tiranës zyrtare ndaj Beogradit. Me sa duket pritshmëria e njerëzve logjikë dhe shumicës së shqiptarëve nuk do përmbushet nga Edi Rama duke nëpërkëmbur dinjitetin kombëtar për të qëndruar të barazvlefshëm ndaj serbëve për ato që gjithë shteti dhe qeveria serbe u bënë shqiptarëve. Nën petkun e të vetëkënaqurit dhe njeriut që gjoja ka marrë mandatin qytetar për të bërë si të dojë, Rama po hap një problem shumë të madh për imazhin e vendit tonë. Nën justifikimin e shtrëngimeve të europianëve burokratë të Brukselit dhe mitomanisë se është i zgjedhuri i Merkelit për të sjellë në rrugë të drejtë Serbinë(gjë të cilën nuk e ka marë përsipër askush sot, pasi serbët janë aq problematikë sa nga problemet e tyre të mëdha kanë ardhur që nga luftrat ballkanike e deri tek lufta e parë botërore), Rama po u shet shqiptarëve dokrra mbi rëndësinë e paqenë të tij për të ardhmen e rajonit. Kaq e trashë është gënjeshtra që fabrikohet në kuzhinën qeveritare sa po tentohet që të paraqitet vizita e Ramës në Beograd si domosdoshmëri edhe pse deri më tani askush nuk e di as axhendën e takimeve dhe as temat kryesore që do të diskutojë Rama me serbët. E ndërsa të gjithë janë ngritur në këmbë në Shqipëri për të zhvilluar dhe ndihmuar argumentet e palës tonë për përballjen me Serbinë në UEFA, Rama kërkon që t’i japë dorën Vucic duke dërguar vetëm një ditë para se të merret vendimi për dhunën serbe në stadium(vendimi pritet të jepet në dt 23 tetor dhe vizita është në dt 22 tetor 20114) se Shqipëria nuk e ka problem këtë punë dhe na dënoni si të doni, madje na dënoni edhe si bashkëfajtorë, nëse kjo kënaq serbofilët në komisionin e UEFA-s. E thënë më shkurt Edi Rama po bën marketing politik me poshtërimin e Shqipërisë që po e shërben ndër miqtë e Serbisë në botë. Këtu tek ne po e ofron këtë qëndrim të tij të lig si vijë europiane duke u munduar që të na mbushë mendjen ashtu si në rastin e armëve kimike se ai mendon për të mirën e popullit. Mirëpo qëndrimi i tij i papërgjeshëm si në rastin e armëve kimike, ashtu edhe tani, meriton të njëjtin reagim nga qytetarët dhe media e pakapur prej Kryeministrit. Dinjiteti kombëtar nuk është mall me të cilin Rama të bëjë shkëmbime në Beograd në interes të tij. Simbolet tona kombëtare për të cilat futbollistët shqiptarë ishin gati të merrnin pasoja shumë më të rënda se ajo që morën praktikisht në Serbi, kërkojnë që të respektohen në radhë të parë nga Kryeministri. Askush nuk kërkon të ndalojë Ramën të shkojë në Beograd për arsye politike, por pas ngjarjeve të rënda dhe fyese e poshtëruese për shqiptarët në stadiumin e Beogradit, vetë origjina dhe raca shqiptare nuk mund të lejojë që të shtrihet dora ndaj atyre që thjesht na duan të vdekur. Vëllai i Ramës u arrestua dhe u ofendua keqazi në Beograd, ndërsa Kryeministri ynë qoftë edhe për një sens reciprociteti nuk mund të tregohet kaq servil sa të shkojë e të thotë në Beograd se serbët e kanë bërë mirë që u sollën ashtu. Vetëm këtë mesazh mund të përcjellë Rama në Beograd nëse shkon nga njëra anë dhe nga tjetra do të ndihmojë padyshim qeverinë serbe që të dalë para botës si një strukturë demokratike dhe europiane që është shkëputur nga e kaluara. Në të vërtetë këtë shërbim qeverisë serbe Rama do ia bënte edhe po të ishte në gjendje lufte vendi ynë me ta, por çështja qëndron se përse duhet të shkojë medeomos tani Rama në Beograd? Këtë përgjigje mund ta gjesh vetëm në kokën e kryeministrit Rama, por që të propogandosh në këtë situatë vizitën në Serbi dhe shtrëngimin e duarve me pasuesit e Miloshevicit që u rreshtuan në korin e atyre që thërisnin “Vritini dhe pastaj copëtojini shqiptarët që të mos ekzistojnë”, kjo është e tepërt. Mbase përveç zgjatjes së dorës ndaj serbëve Rama mund të ofrojë edhe dicka tjetër më personale ndaj tyre dhe kur të kthehet të na thotë se shqiptarëve nuk u hyn në punë se cfarë bën Kryeministri ynë me pjesë intime të trupit të tij. Sigurisht që ka plotësisht të drejtë të sillet kështu si sillet derisa ne nuk kemi fuqi ta ndalojmë Ramën të puthë këmbët e atyre që nuk lanë gjë pa na thënë e pa na sharë në Beograd. Dhe me konsensus shoqëror ne do të inkurajojmë Ramën në çmendurinë e vet dhe t’i themi që përveçse dorës t’i japë dhe gjë tjetër.
















