Reshat Ibrahimi
Të nderuar dhe shumë të respektuar “Ballistë”. Duke ju njohur si një ndër mbështetësit më të mirë të një skuadre në Maqedoni dhe jashtë saj- siç është SHKËNDIJA, dua të ju drejtohem (ndoshta është e panevojshme) në prag-derbin e së dielës mes Shkëndijës dhe Vardarit, që do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë.
Të nderuar “Ballistë”, gjatë historisë suaj shumëvjeçare keni kaluar shumë sfida të vështira, ndërsa të dielën do të ndodheni para një sprove të re.
Pas skenave të tmerrshme nga tifozët serb në stadiumin e Partizanit në Beograd, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, sigurisht që dikush do të dëshironte që në këtë derbi të përsëriten ngjarje të tilla me të vetmin qëllim që juve dhe shqiptarëve në përgjithësi tu hedhin një imazh të keq, andaj ju kisha sugjeruar që të tregojmë dinjitetin kombëtar e kulturën evropiane së cilës i përkasim, pasi edhe Shkëndija synon të jetë klub evropian.
Të dielën, Ju do të jeni pasqyra e shqiptarëve kudo që ndodhen, prandaj të gjithë të mobilizohemi që gjithçka të kaloj në frymën e lojës fer dhe korrekte ashtu siç dini dhe dëshiron edhe njeriu i parë i klubit kuqezi nga Tetova, Lazim Destani.
Të injorojmë çdo sjellje provokative, të ruajmë gjakftohtësinë, si brenda në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj.
Ne duhet të tregojnë se jemi evropianë, të qytetëruar dhe miqësorë. Madje, kur të dalin lojtarët në fushën e lojës mendoj se duhet t’u themi mysafirëve: “Mirësevini në Tetovën Europiane!”.
Unë ju kam ndjekur në disa ndeshje dhe kam mbetur i impresionuar nga organizimi festiv i juaj. Më kanë mbetur në mendje ndeshjet Shkëndija-Vardar (2-1për Kupë) dhe Shkëndija-Teteks (5-0 për pikë).
Ato ishin ndeshje të paharrueshme jo vetëm për futbollistët, por për të gjithë shikuesit, sepse krijuat një spektakël vlerash qytetarie dhe kulture kombëtare të organizuar aq mirë.
Dhe, për në fund, ndeshjen me rivalin e përbetuar Vardarin nga Shkupi ta kuptojmë vetëm si një ndeshje normale të kampionatit vendor dhe asgjë tjetër.
Shëndet dhe suksese të gjithëve!
















