Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia kurrsesi nuk do të pranojë të ndajë përgjegjësinë për ngjarjet që ndodhën në stadiumin “Partizani” në Beograd.
Reagon edhe Presidenti i Serbisë. Sipas tij, “Shqipërisë do t’i duhen dekada, nëse jo shekuj, që të bëhet një shtet normal, pa urrejtje ndaj Serbisë”.
Kryeministri dhe Presidenti i Serbisë kanë sulmuar ashpër Shqipërinë dhe shqiptarët. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia kurrsesi nuk do të pranojë të ndajë përgjegjësinë për ngjarjet që ndodhën në stadiumin “Partizani” në Beograd. “Me padurim pres komentet nga Bashkimi Europian, të shoh çfarë do të thonë për tërë këtë. Pasi disa herë në periudhën nga ora 18:00 deri në 18:50 i kam informuar për incidentet e mundshme, skenarët politikë dhe provokimet e tjera nga personat zyrtarë, pasi të gjithë ata që ishin në tribuna kanë qenë zyrtarë. Imagjinojeni, disa prej tyre kanë pasur shall të UÇK-së dhe ata janë konfiskuar, por duket qartë që kishin ardhur për të provokuar. Unë nuk fshihem nga askush dhe e kam fytyrën e pastër. Mund ta shikoj në sy secilin dhe të takohem, por nuk e di nëse ata mund të më shikojnë mua”, – tha Vuçiç. Më tej ai shtoi: “Nuk kemi ndërmend të sulmojmë njeri, nuk po kërcënojmë njeri, por mbetemi të gatshëm të ruajmë paqen dhe të luftojmë ata që duan të shkatërrojnë vendin tonë”. Ndërsa Presidenti Tomislav Nikoliç, i cili ndodhej në stadium, ka vlerësuar se ky është një atentat ndaj miqësisë mes Serbisë dhe Shqipërisë. Sipas Presidentit, Serbia ka pritur vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si shenjë e vendosjes së marrëdhënieve jashtëzakonisht të mira, “por është e qartë që Shqipërisë do t’i duhen dekada, nëse jo shekuj, që të bëhet një shtet normal, pa urrejtje ndaj Serbisë”. Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Shqipërisë, duke përdorur dy standarde në deklaratat e tij, nëse do t’i referohemi një rasti të ngjashëm në vitin 2010, në ndeshjen mes Italisë dhe Serbisë në Xhenova, ku protagoniste e incidentit ishte sërish tifozeria serbe, pasi disa prej tyre lëshuan fishekzjarrë në fushë, dogjën flamurin shqiptar dhe thyen barrierat. Asokohe, ndeshja u ndërpre nga gjyqtari pasi u ra dakord se ishte e pamundur të garantohej siguria në stadiumin e Xhenovas. Në atë kohë, Ivica Daçiç, në rolin e ministrit të Brendshëm të Serbisë fajësonte autoritetet italiane, të cilat sipas tij duhej të kishin marrë masat për të mos lejuar futjen e objekteve flakëhedhëse dhe pajisjeve të tjera që prishën ndeshjen. Së fundmi Daçiç, por këtë herë në cilësinë e ministrit të Jashtëm serb deklaron një tjetër qëndrim. “Serbia nuk mban asnjë përgjegjësi për ndërprerjen e ndeshjes”, – u shpreh ai. Ministri i Jashtëm hodhi gjithashtu akuza ndaj vëllait të kryeministrit Rama, i pranishëm në stadium. Ai tha për gazetën ‘Blic’ se “kjo është një çështje mjaft serioze, duke qenë se organizatori i saj ka qenë vëllai i kryeministrit Rama”. Edhe Federata Serbe e Futbollit nga ana tjetër ka reaguar me gjuhe të ashpër. Ajo e cilësoi ngjarjen një “akt terrorist kundër Serbisë” dhe ka kërkuar që UEFA të reagojë sikurse në Gjenova të Italisë dhe të gjobisë Federatën Shqiptare.
Serbia, notë proteste qeverisë shqiptare
Përveç deklaratave të ashpra, të bëra nga zyrtarët e shtetit serb, ambasadori shqiptar në Beograd, Ilir Boçka është ftuar në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, ku i është dhënë një notë proteste. Ministria e Jashtme serbe thotë se kjo ngjarje ishte e qëllimshme për të vënë nën hije faktin që Serbia ka një politikë të bashkëpunimit rajonal. “Ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për mysafirët e papërgjegjshëm”, thuhet në reagim. Ministria e Jashtme serbe ka kritikuar veçanërisht ndërhyrjen e ambasadorit për ndalimin e gazetarëve dhe biznesmenëve nga Shqipëria dhe ka insistuar se gjithçka ka filluar me futjen e flamurit të Shqipërisë etnike në stadium.
















