Zëvendëspresidentit, Joe Biden, i është dashur të kërkoj falje, dy herë, ndaj dy aleatëve kryesorë të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik(ISIS). Jo për shkak se ai bëri akuza të rreme ndaj tyre, por se aksidentalisht tha disa të vërteta të papërshtatshme.
Duke folur në Forumin e John F. Kennedy Jr. në Universitetin e Harvardit në fund të javës së shkuar, Bajden bëri disa komente kritikuese kundër Turqisë, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), tre anëtare të fuqishme të koalicionit kundër ISIS që drejtohet nga SHBA. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrë pjesë në sulmet e para ajrore të SHBA-së kundër “Shtetit Islamik” dhe Riadi ka ofruar gatishmërinë për të stërvitur opozitën e moderuar siriane. Parlamenti turk votoi së fundmi për të autorizuar sulme ushtarake në Siri dhe Irak.
Por, zv/presidenti Biden nuk u fokusua në këto anë të mira të bashkëpunimit. Turqia, theksoi nënpresidenti i SHBA, ka dështuar për të mbyllur kufirin e saj të gjatë me Sirinë, duke lejuar militantët ithtarë të ISIS që të kalojnë lehtësisht kufirin për t’u bashkuar me terroristët në luftën që ka përfshirë Sirinë dhe Irakun. Ai tha se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë, kanë transferuar qindra milionë dollarë dhe sasi të mëdha armatimesh tek grupet e ndryshme militante islamike në Siri, përfshirë të paktën një që ka lidhje me Al-Kaedën. Krerët e të tre vendeve u skuqën nga tërbimi, por ka elemente të së vërtetës në çdo gjë që Biden tha, veçanërisht kur bëhet fjalë për Turqinë, e cila do të jetë një lojtar i rëndësishëm në çdo përpjekje serioze për të mposhtur shtetin islamik.
Zyrtarët amerikanë janë të bindur se Ankaraja nuk ka bërë pothuajse asgjë për të kontrolluar kufirin e saj me Sirinë dhe i ka bishtnuar çdo përpjekje për të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ushtarake kundër Shtetit Islamik, pjesërisht për shkak se militantët kanë mbajtur peng deri vonë dhjetëra diplomatë turq dhe qytetarë të tjerë. “New York Times” raportoi në shtator se deri në 1,000 turq kanë kaluar kufirin për në Siri për të luftuar së bashku me organizatën terroriste ISIS, së bashku me një numër të pacaktuar të luftëtarëve të huaj, nga shtete të tjera. Në shtator, kur ai njoftoi fillimin e fushatës aktuale kundër Shtetit islamik, Presidenti Barak Obama aludoi çështjen e kufirit – edhe pse ai nuk e përmendi në mënyrë të veçantë Turqinë – kur theksoi nevojën për të “frenuar rrjedhën e luftëtarëve të huaj”.
Rekrutimi realizohet nëpërmjet një apeli ideologjik për të rinjtë e pakënaqur si dhe nëpërmjet parave. CIA ka vlerësuar javën e kaluar se grupi terrorist ISIS numëron rreth 20,000- 31,500 luftëtarë në Irak dhe Siri. Disa zyrtarë amerikanë shpresojnë se Turqia do të jetë e gatshëm për të bërë më shumë kundër Shtetit Islamik.
“Ne kemi identifikuar pikat e sigurisë në disa prej këtyre kufijve, duke përfshirë kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, si një prioritet kyç për të penguar vërshimin e mbështetjes drejt ISIS dhe grupeve të tjera ekstremiste që veprojnë në Siri”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
Përplasja diplomatike nisi tek vërejtja e Bidenit në Harvard, ku ai tha troç se, “aleatët tanë në rajon ishin problemin ynë më i madh në Siri” në përgjigje të një pyetje nga një student i cili pyeti nëse Shtetet e Bashkuara duhet të kishte vepruar më parë për të ndaluar luftën civile në Siri dhe pse ajo ka zgjedhur që të veprojë tani”.
“Turqit ishin miq të mëdhenj, dhe unë kam një marrëdhënie të mirë me [presidentin turk ] Erdogan, … me sauditë. Çfarë bënin ata? Ata ishin aq të vendosur për të rrëzuar presidentin sirian Bashar al President ] dhe tani para kanë një luftë sunite-shiite. Çfarë bënë ata?”, pyeti Biden sipas një regjistrimi të fjalimit të postuar në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë. “Ata derdhën qindra miliona dollarë dhe dhjetëra mijëra ton në armatime për të gjithë ata që luftojnë kundër Assadi, por grupet që po furnizoheshin ishin al-Nusra, Al-Kaeda dhe grupe të tjera ekstremiste”.
“Presidenti Erdogan më tha – ai është një mik i vjetër i imi – Ju keni pasur të drejtë. Lamë të kalonin shumë njerëz. Tani jemi duke u përpjekur për ta kontrolluar kufirin me Sirinë”, tha Bajden duke cituar president turk. Erdogan mohoi të ketë bërë komente të tilla, duke insistuar se asnjë militantë nuk ka kaluar nga Turqia drejt Sirisë dhe vazhdoi më tej me hatërmbetje se Biden do t’i përkasi “historisë për mua”, për shkak të komenteve të zv/presidentit. Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe u shpreh se komentet ishin “larg nga e vërteta”.
Biden kërkoi falje për Erdoganin dhe Shtëpia e Bardhë njoftoi se nënpresidenti kishte telefonuar Princin e kurorës së Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, për të sqaruar se vërejtjet e tij nuk kishin si synim të akuzonin se Emiratet kishin ndihmuar apo përkrahur” Shtetin Islamik, Al-Kaedën apo grupe të tjera terroriste në Siri. Të hënën, Shtëpia e Bardhë theksoi se Bajden “ka karakter të mjaftueshme për ta pranuar kur është bërë gabim”. Qëkur presidenti Obama mblodhi një koalicion kundër Shtetit islamik, “Arabia Saudite ka ndaluar financimet”. Arabia Saudite ka lejuar trajnimin në tokën e saj të forcave amerikane,” tha Bajden. Gjithashtu, “Katari ka ndërprerë mbështetjen për elementët më ekstreme të organizatave terroriste”. Por këtu është thelbi: Komentet Biden mund të ketë qenë politikisht të pakëshillueshme por esenca e fjalimit të tij përputhet me atë që komuniteti i zbulimit amerikan e ka njohur prej kohësh, madje edhe ka aluduar për të.
“Siria është bërë një betejë mes Iranit dhe Hezbollahut libanez në njërën anë dhe shteteve sunite arabe në anën tjetër”, tha James Clapper, drejtor i Zbulimit Kombëtar, në dëshminë dhënë para Senatit në janar.”Pakënaqësi e disa shteteve arabe të gjirit me politikat amerikane ndaj Iranit, Sirisë dhe Egjiptit i kanë çuar këto vende në reduktimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në çështjet rajonale dhe në kryerjen e veprimeve të njëanshme në mënyra që bien ndesh me interesat e SHBA”. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për kundërterrorizmit thotë se edhe pse Katari ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në disa fusha të rëndësishme të kundërterrorizmit, përpjekjet e këtij shteti për të ndaluar financimit me fonde për grupet terroriste kanë qenë jo të qëndrueshme.
Në të vërtetë, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë mbështetje të madhe Ushtrisë së Lirë Siriane. Pjesë e majme nga ato financime dhe armatime gjenden tashmë në duart e luftëtarëve të Shtetit Islamik, al-Nusra Front dhe grupeve të tjera ekstremiste. Në një insinuatë të humbur në kritikat e Biden, disa zyrtarë amerikanë besojnë se radikalët islamikë i përvetësuan këto para dhe armatime pasi fituan pozicione kyçe në ushtrinë e lirë siriane dhe nuk i morën ato në mënyrë të drejtpërdrejt nga vendet e Gjirit.
Zyrtarët nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kanë mohuar fuqimisht se kanë kanalizuar armatime apo shuma parash tek ISIS apo al-Nusra, edhe pse ata e pranojnë se kanë ndërmarrë veprime për të mbështetur Ushtrinë e Lirë Siriane pas Obama refuzoi që SHBA të mbështeste këtë grup. Obama ka ndryshuar kohët e fundit politikën duke njoftuar plane për të iniciuar një përpjekje të rëndësishme për të trajnuar, financuar dhe mbështetur Ushtrinë e Lirë Siriane, edhe pse disa komandantë rebele e konsiderojnë këtë të paktë dhe të vonuar.
Jon Alterman, ekspert për sigurinë globale në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se komentet e Biden nuk ishin të pasakta, por ishin pak joprecize. “Sigurisht që ka pasur mbështetje për grupet terroriste nga vendet e rajonit”, tha Alterman. Por mund të perceptohet nga komentet e Bidenit se “qeveritë në rajon kanë mbështetur drejtpërdrejt këto grupe, dhe unë nuk mendoj se kjo ishte çka ai realisht po pohonte. Masa e mbështetjes që kanë dhënë këto shtete është e paqartë”. Roli i aleatëve të Amerikës që mbështesin grupet anti-Assad është dokumentuar e në një studim të kryer nga Institucioni Brookings në dhjetor 2013. E ndërsa grupet të tjera anti-Assad po formoheshin në vitin 2012, donatorët nga Kuvajti – një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara në rajon dhe një vend-stacion për trupat amerikane në dy luftërat e fundit – po rrisnin donacionet e tyre, sipas një dokumenti me titullin “Duke luajtur me zjarrin: Pse Financimet private të vendeve të Gjirit ndaj rebelëve ekstremistë sirianë po ndezin konflikt sektar”, botuar Elizabeth Dickinson. Në fillim të vitit 2012, “ka pasur një shpërthim të videove dhe fotove në mediat sociale, duke njoftuar krijimin e brigadave të reja rebele-madje disa kishim marrë emrat e kontribuuesve kuvajtian” shkroi Dickinson. “Zukatja e konfliktit ka tërhequr donatorë jo vetëm nga Kuvajti, por edhe individë nga vende të tjera të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin”. Kontribuesit kuvajtianë kanë konsoliduar donacione për grupe të veçanta rebele, duke përfshirë al-Frontin Al-Nusra, shkruan Dickinson. “Edhe pse Arabia Saudite ka dekurajuar establishmentin fetar të vendit për t’u përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin sirian, në vitin 2012 mbretëria nisi një fushatë për të mbledhur fonde.















