I vetmi emocion që ka mundur të shkaktojë opozita tek progres raporti i radhës i Bashkimit Evropian për Shqipërinë, është bojkoti. Progres raporti është kundër bojkotit të saj nga parlamenti dhe bën thirrje për një dialog me qeverinë. Kjo është diçka që pritej. As opozita nuk ka besuar sinqerisht se duke bojkotuar Kuvendin do fitonte vëmendje dhe mbështetje perëndimore. Gjesti i saj ishte më shumë për konsum të brendshëm se sa për konsum ndërkombëtar.
Por, ajo që më duket më e trishtueshme në këtë raport, është fakti që raporti nuk ka as ndonjë shqetësim serioz për bojkotin. Në çdo rresht, përfshi dhe kontekstin ku përmend bojkotin, nuk shikohet ndonjë alarm apo ultimatum për këtë çështje. Pra, në një farë mënyre raporti dëshmon dhe një farë indiference ndaj këtij gjesti, çka është një minus më i madh për opozitën.
Kur socialistët refuzuan të hyjnë në Kuvend pas vitit 2009, për shkak të kërkesës së tyre për hapjen e kutive, presioni ndërkombëtar mbi ta ishte shumë i madh, por bashkë me presionin, dhe angazhimi ndërkombëtar ishte i madh. U negociuan disa skenarë të futjes në Kuvend, deri tek darka e famshme tek “Krokodili” në Strasburg, dhe si përfundim, opozita shkoi në Kuvend pa ndonjë fitore konkrete për vete, por duke ja arritur të ekspozojë qeverinë si jotransparente dhe me dy standarte për zgjedhjet e lira.
Gjesti i tanishëm i opozitës është lexuar qartë si një nevojë për konsum të brendshëm politik, dhe si i tillë nuk ka ngjallur as alarm, dhe as ndonjë shqetësim serioz, përveç përshkrimit si gjest anormal politik.
Kjo, dhe për shkakun se arsyeja publike që ka paraqitur Partia Demokratike tashmë ka rënë, pasi dy deputetët që kanë ushtruar dhunë janë marrë të pandehur. Nëse opozita e sotme demonstroi gjatë pushtetit një angazhim institucional pro krimit dhe kundër drejtësisë kur vinte puna tek ndëshkueshmëria, shumica e sotme e la çështjen në dorë të drejtësisë, duke dënuar aktin e dhunës. Nëse Sali Berisha quajti “lavire” kryeprokuroren pse deshi të hetonte 21 Janarin dhe “horr bulevardi” presidentin, pse nuk u rreshtua në anën e vrasjeve politike, shumica e sotme jo vetëm që nuk ka bërë gjeste të tilla, por ka inkurajuar drejtësinë të veprojë.
Këtu për çdo perëndimor përfundojnë arsyet politike të bojkotit, dhe e shikojnë këtë si një shkak për arsye të tjera të brendshme politike, për të cilat nuk janë shumë të interesuar. Duke qenë të bindur se bojkoti nuk bëhet për atë çfarë deklarohet, por për halle të forcimit politik të Lulzim Bashës, duket se Bruskeli është indiferent dhe i pashqetësuar për të.
Ky është një sinjal shumë më negativ për opozitën se sa thirrja që të kthehet në Kuvend. Thirrja që të kthehet në Kuvend është rutinë institucionale, por mosmarrja seriozisht e hallit të opozitës, është fyerje me vetëdije që i bëhet nja kauze fallco të tyre.
Një opozitë si kjo e jona, biles një opozitë që realisht drejtohet nga Berisha, i shkon dhe stofi antiperëndimor për ta faktorizuar. U shkon të sulmojnë Fylen, të shpikin teori konspirative te tipit se “pas tij do vijë një mik i tyre që i ka dhënë Doktori llotarinë austriake” siç pëshpërisin pa shumë turp nëpër tavolina, u shkon t’i personalizojnë luftrat politike apo dhe të mbivlerësojnë skenarë vulgarë, mjafton që ata të faktorizohen dhe të merren seriozisht qoftë dhe si rrezik.
Ajo që po i ndodh Lulzim Bashës dhe opozitës së tij është se ata nuk po i merr askush seriozisht, as si rrezik, as si antiperëndimor, as si destabilzues dhe as si faktor me rëndësi në vend. Defaktorizimi real që ai po i bën opozitës për shkak të politikës së kulisave që ai bën vetëm për të mbrojtur karrigen e vet në SHQUP, janë në të vërtetë fatkeqësia reale e opozitës.
Bojkoti i parlamentit, mosmarrja pjesë në institucionet e përbashkëta apo dhe retorika e lartë politike alla Berishë, do t’ia vlenin sikur të trembnin dikë. Fakti që askush, as në Tiranë dhe as në Bruksel nuk kanë ndonjë vemendje për atë që bëjnë, është domethënës për regresin real të opozitës, si një fuqi politike e defaktorizuar për interesa shumë klienteliste të Lulzim Bashës. Kjo është dhe shija më e keqe që lë progres raporti për opozitën. Nuk është puna se i kritikon për bojkotin. Ato kritika janë dekorata për Bashën. Puna është që e thotë atë sa për të larë gojën dhe merret me nevojën për reforma në Shqipëri, sikur opozita e dy “B”-ve, të mos ekzistojë.
Mero Baze
















