Ilva Tare
Ka disa individë në Shqipëri, ku unë nuk bëj pjesë, që kanë besuar se ky vend lë hapësirë për të qenë optimistë. Është një vend në zhvillim, ka mundësi të mësojë nga pësimet dhe mbi të gjitha energjia pozitive e brezit të ri për të qenë ambiciozë shërben si katalizator i ndryshimeve për më mirë. Disa prej këtyre optimistëve, që kanë parë diell edhe në netë pus të zeza sot gjenden në poste drejtuese dhe kanë në dorë ta ndryshojnë shoqërinë dhe Shqipërinë.
Këta, sipas një vëzhgimi jo shkencor, por intuitiv, po fillojnë të ngrenë flamurin e bardhë të dorëzimit. Beteja me të përditshmen problematike, me konfliktet, xhelozitë, përplasjet, po i çon drejt shprehjes së famshme: “Nuk bëhet ky vend!” Mungesa ime e dikushme e optimizmit me gjasë është mirëkuptuar tanimë edhe prej atyre, që në vend të rezultateve, por përjetojnë zhgënjime dhe në vend të pritshmërive, ndjejnë pendime.
Humbja e optimizimit për një të ardhme më të mirë nga e djeshmja dhe pak më e keqe se nesërmja nuk lë vend për t’u gëzuar. Edhe më pesimisti ndjehet keq kur sheh se si triumfon mediokriteti, sesi nuk shpërblehet puna, por qepazët. Nuk promovohen vlerat, por pazaret, nuk shkon përpara e mira, por e keqja në të gjitha format me të cilat shpërfaqet herë si fantazmë e dalë mendsh dhe herë si një trup i dehur nga ku rrjedhin barcaleta dhe ngjarje që kanë për protagonistë emra të shquar njerëzish, që drejtojnë këtë vend dhe që për fatin e keq po të këtij vendi, janë të gjitha të vërteta.
Nuk ka asnjë arsye për t’iu gëzuar triumfit të pesimizmit mbi optimizmin. Të vetmit që fitojnë janë ata që e kanë vrarë shpresën për një shoqëri të ndershme dhe të barabartësh, të thjeshtë dhe të pastër, jo nga higjena e ujit të çezmës, por prej larjes së mëkateve të atyre individëve, që sot ndosin tokën ku vënë këmbën dhe bëjnë pis karriget e pluhurosura. Këta, vrasësit e optimizmit janë të kudondodhur, majë karrigeve që u duhen për të qenë ende në krye të detyrës për të asgjesuar të ardhmen dhe për të ekzektuar të tashmen.
Bota dhe rrumbullakësia e saj e mistershme do të mundësojë që një ditë përgjegjësit e vrajses së optimizmit do të vihen përfund, edhe në këtë vend ku paradokset darkojnë me parimet. Gjasat janë që do të jetë shumë vonë për të rekuperuar dëmet e tyre, por shpresa se kjo do të ndodhë dhe se e mira do të ketë radhën e saj për të qenë mbi krye është një arsye për ta pritur me urtësi e maturi. Adieu pour le moment!















