Nga Skënder KAPITI Është e vërtetë dhe dëgjohet e flitet shpesh në opinion se ne nuk kemi shtet dhe se nuk bëhemi shtet. Është fjala kryesisht për mosfunksionimin e shtetit të së drejtës ose të shtetit ligjor. Po, a nuk na e thonë edhe diplomatët dhe kancelaritë e vendeve demokratike të njëjtën gjë, po në mënyrë të moderuar, ku ka mbi 20 vite që porosisin politikën dhe shoqërinë shqiptare që të ndërtojmë shtetin dhe të plotësojmë standartet moderne shtetformuese e që do të thotë se shteti ynë akoma na qenka jashtë standartit demokratik e modern, përderisa nuk i plotëson ato. A nuk na porosisin gjithnjë të njëjtat gjëra: Ndërtoni shtetin ligjor, reformoni drejtësinë dhe administratën, zbatoni ligjin njëlloj për të gjithë dhe pa diskriminimin e atyre që nuk kanë përkrahje e miqësira në politikë, pushtet dhe administratë. Na thonë, luftoni korrupsionin dhe ndëshkoni edhe politikanët e pushtetarët e korruptuar. Dhe kjo e fundit nuk ka ndodhur asnjëherë kur dihet publikisht dhe botërisht se çfarë dëmesh, tragjedish e skandalesh ka bërë politika dhe politikanët, drejtësia dhe gjyqtarët, dhe askush nuk është vënë para drejtësisë, dhe askush nuk është ndëshkuar pasi i ka mbrojtur politika, kjo strehë e sigurtë për ta.
Aq bajate dhe e neveritshme ka qenë politika jonë kryesisht në këtë tranzicion sa që dhe përfaqësuesit e shteteve të USA dhe BE si shkaktare e mosintegrimit të vendit, hapur i kanë akuzuar politikanët tanë të mbrapshtë. Këto porosi, jo se nuk i di si politika dhe shoqëria, po është politika ajo që nuk dëgjon, pasi populli i kryen detyrat e veta; ai punon, lufton, sakrifikon, paguan dhe mban shtetin e tërë strukturën e tij, por shtetin e keq e ka bërë të tillë politika dhe drejtësia e keqe. Ato, pra politika, pushteti dhe drejtësia e keqe e prishin si shtetin ashtu dhe shoqërinë, dhe paralizojnë mirëfunksionimin dhe zhvillimin e tyre. Këtu te ne, si politika e sidomos pushteti dhe drejtësia nuk i nënshtrohen dhe as nuk i binden Kushtetutës, ligjit dhe drejtësisë, po pushteti në bashkëpunim dhe simbiozë me drejtësinë janë mbiligji, mbishteti dhe mbidrejtësia dhe vetëgjyqësia që bëjnë vjedhjen, krimin dhe korrupsionin, dhe strehojnë, mbajnë dhe përfitojnë nga krimi e korrupsioni. Dhe kur politika e drejtësia shkojnë kah paraja, krimi e korrupsioni atëhere thjesht do të thotë se pushteti i pushtetarëve dhe drejtësia janë kriminalizuar, shteti është privatizuar dhe kapur prej tyre, dhe shteti egziston vetëm formalisht në dukje si shtet juridik e civil, por realisht funksionon si shtet johuman dhe si një instrument i pushtetit dhe i drejtësisë së padrejtësisë.
Kur politika dhe pushteti me drejtësinë kriminalizohen atëhere pashmangshmërisht sëmuret dhe infektohet e përhapet në shoqëri kriminalizimi dhe korrupsioni, jo vetëm duke prishur shoqërinë po dhe duke nxitur përçarje e konflikt midis anëtarëve të saj se kështu penetron, dëshiron dhe sundon më lehtë politika e korruptuar dhe antisociale, dhe plus kësaj vjen edhe imazhi negativ ndërkombëtar, pasi krimi i politikës dhe ai i padrejtësisë dhe ai i trafikimeve të qenieve njerëzore, i drogës, i pandëshkueshmërisë, i hajdutërisë etj., nga Shqipëria shtrihet dhe jashtë shtetit si një eksport kriminaliteti, ku shumë politikanë e qeveritarë dhe media të vendeve të BE si Italia, Franca, Britania etj. akuzojnë pushtetarët shqiptarë si të lidhur me krimin. Dhe është shumë shqetësuese edhe deklarata e ministrit të Brendshëm të Gjermanisë kur deklaron se qeveritarët shqiptarë janë të lidhur me krimin dhe se Berlini është i rrezikuar nga bandat e Tiranës. Dhe merre me mend se çfarë është realiteti kriminal në Shqipëri me këta farë qeveritarësh e me këtë farë gjyqësori që kemi këtu, ku mjafton të kesh një mandat deputeti, gjyqtari, prokurori dhe post e detyrë shtetërore si qeveritar, ministër, drejtues dikasteri dhe çfarëdolloj institucioni dhe ke të drejtë të bësh të paligjshmen dhe mos të të hyjë gjemb në këmbë, po vetëm sa bëhet potere publike e mediatike dhe mbyllet me kaq.
Pushtetarët dhe drejtësia shqiptare të joshur nga ryshfeti dhe paraja e trafikimit, drogës, kontrabandës dhe e krimit më pas bien pre e tyre dhe të zgjedhurit e mandatarët, të paprekshmit nga ligji dhe imunitarët, pushtetarët dhe qeveritarët depersonalizohen e degradohen, bien nën nivelin e halabakut, hajdutit dhe ordinerit, dhe shndërrohen në shërbëtorë e avokatë të krimit, pasi krimi i ka kapur dhe ata janë të detyruar të bashkëpunojnë si pushtetarët dhe drejtësia me krimin, pasi pushtetarët dhe drejtësia duhet t’i kthejnë borxhin krimit në rrethin vicioz të të cilit ata hyjnë dhe do të hedhin me doemos edhe vallen e tij. Kjo është vetë mafia, pra. Imunitet që të mos kesh frikë nga ligji dhe drejtësia gëzojnë dhe të afërmit, miqtë e krushqirat e krushqinjtë e atyre që përmenda më lart si dhe të gjithë ata që kanë para me thes pa marrë parasysh se ku dhe se qysh i kanë fituar ato; se një gjë ata e kanë të sigurtë, atë se pasi kanë shumë para dhe se kanë për gjë për të paguar politikën dhe drejtësinë që të fitojnë lirinë dhe të “drejtën” nga padrejtësia e drejtësisë. Po të kesh para në Shqipëri e blen votën, e blen deputetin, pushtetarin, gjyqtarin e prokurorin. Kjo është bërë dhe një psikozë kolektive ose kulturë masive korrupsioni që inkurajon te individi dhe te shoqëria guximin dhe aventurën për të bërë para shpejt dhe shumë në rrugë të pandershme pasi teprojnë para edhe pasi paguajnë shumë te drejtësia në mënyrë që të mos ndëshkohesh e të mos dënohesh. Po mjerë për të mjerët që nuk i bëjnë dhe nuk i kanë këto para, ata edhe të drejtën e humbasin se nuk kanë para për ta fituar për ta blerë atë, dhe mjerë për të mjerët që dënohen rëndë dhe për një vepër tepër të vogël se nuk kanë para për t’i paguar e për të dalë nga “kurthi” i trekëndëshit të korrupsionit: avokat, gjyqtar e prokuror. Mjerë dhe për fukarenjtë, të varfërit, të papunët, për ata që kanë punë në zyrat e shtetit e të gjykatës, mjerë për ata që nuk kanë mundësi ryshfeti e për të paguar te administrata para dhe ryshfet për punësim, për arsimim, për shëndetin, për ilaçet, për ujin, për dritat, për pensionin e për përkrahjen sociale.
Të rinjtë shqiptarë, të cilëve u ofrohet në Shqipëri ky realitet i pakëndshëm që nuk përballohet dot, detyrohen të marrin arratinë dhe të emigrojnë për të gjetur punë pasi edhe po të kishin mundësi punësimi në Shqipëri me rrogat këtu, nuk do të mund të bënin as dasmën e martesës e jo më të blinin shtëpi, kishin katandi e të bënin prokopi. Po, edhe po qe se nuk sigurojnë punë në perëndim ata detyrohen tu hyjnë punëve të paligjshme, dhe megjithëse e dinë se ligji do t’i ndëshkojë, shumë prej tyre përsëri më mirë ndjehen në kampet e dënimit atje, se sa në atdheun e tyre ku mund të ishin të lirë, por të lirë pa siguri, pa mirëqenie, të papunë dhe në varfëri. Kjo është fytyra e shtetit të kapur nga kthetrat e politikës dhe të padrejtësisë, korrupsionit, krimit dhe papërgjegjshmërisë. Prandaj populli ynë e kërkon më shumë se kushdo tjetër integrimin në BE, e kërkon për të shpëtuar nga kthetrat e politikanëve, pushtetarëve dhe të padrejtësisë së drejtësisë shqiptare; e kërkon për të siguruar jetën, për punën, për arsimin, për shëndetin etj., pasi nuk i ka në vendin e vet, nuk i ka te shteti i vet, i cili është rrëmbyer dhe i kapur nga korrupsioni, tradhtia dhe papërgjegjshmëria e politikës, dhe nga padrejtësia e drejtësisë.
















