Publikimi i listave të kandidatëve për në Këshillin Kombëtar të PD nxit interesin e ndërmarrjes së një analize mbi cilësinë e kandidatëve dhe masën e përfaqësimit të secilit brenda strukturave të PD dhe më gjerë. Mirëpo, kjo analizë nuk mund të bëhet për një pjesë të kandidaturave, pasi fati i tyre është i paracaktuar si pasojë e ndryshimeve të bëra në statut. I njëjti fenomen evidentohet edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku falë listave të mbyllura favorizohen disa kandidatë dhe diskriminohen të tjerë. Në të dyja momentet e ku presupozohet që duhet të ketë garim si në nivel makro – zgjedhjet e përgjithshme, ashtu dhe nivel mikro – zgjedhje për Këshillin Kombëtar, një pjesë e kandidatëve, qoftë përballë elektoratit por edhe anëtarësisë së partisë favorizohen. E gjitha kjo, jo falë cilësive apo shkallës së përfaqësimit që gëzojnë kandidatët në raport me të tjerët, por thjesht favorizimeve që krijon ligji në një rast dhe statuti në tjetrin. Në rastin e parë, favorizimi mundësohet nga vendi në listat shumemërore, ndërsa në rastin e dytë, thjesht për faktin se je deputet. Ndërsa, pjesa tjetër që ka një vend në listat shumemërore të pasigurt detyrohen të zhvillojnë garë mes tyre për numrin e nevojshëm të votave për të siguruar mandatin, ashtu siç ndodhi edhe në garën për anëtar të Këshillit Kombëtar, ku një pjesë e kandidatëve që nuk e gëzojnë statusin e deputetit i nënshtrohen garës për të siguruar votat e nevojshme me qëllim sigurimin e vendit në Këshillin Kombëtar të partisë.
Siç duket qartë, ligji si në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ashtu dhe në zgjedhjet për kryesinë e partisë nxjerr në pah një aspekt diskriminues. Koncepti i garës nuk merr kuptim.
E shprehur ndryshe, nëpërmjet mekanizmit ligjor dhe statutor është cenuar gara, duke bërë të mundur që disa fitues të jenë të paracaktuar në raport me disa të tjerë që i nënshtrohen garimit mes tyre. Në të tilla kushte, deputetët e kanë të qartë që me sistemin e ri zgjedhor ku listat janë të mbyllura, rruga për të siguruar një mandat nuk kalon më nga votuesi specifik, siç ndodh me një sistem mazhoritar apo sistem proporcional me lista të hapura, por kalon nga selia qendrore e partisë. I njëjti fenomen përsëritet edhe në procesin zgjedhor për anëtar të Këshillit Kombëtar, ku deputetët nuk kanë nevojë të njohin anëtarësinë në nivel seksioni, pasi statuti u garanton atyre vend të sigurt në Këshill Kombëtar. Kjo skemë e prodhuar nga ligji dhe statuti rrit probabilitetin që të krijohet një rreth vicioz, ku mandati siguron vendin në strukturat drejtuese dhe kjo e fundit prodhon mandatin.
E kundërta ndodh me kandidatët që në listën shumemërore kanë një vend të diskutueshëm apo kandidatët që garojnë për një vend në listat për Këshill Kombëtar, por që nuk gëzojnë mandatin e deputetit. Në të dyja rastet, kandidatët detyrohet t’i nënshtrohen garës. Në këto kushte, struktura ligjore në nivel makro si kodi zgjedhor dhe mikro, statuti i partisë determinon sjelljen e deputetit. Kategoria e privilegjuar e kandidatëve për deputetë nuk ka më nevojë të krijojë raporte personale me votuesin për të njohur preferencat, kërkesat ekonomike, pasi mjafton ta zhvendosë interesin e tij/saj te njohja personale e liderit. Ndryshe nga sistemi mazhoritar apo proporcional me lista të hapura ku i kërkohet kandidatit për deputet të ndërveprojë me votuesin, sot atij/asaj i duhet thjesht ta bëjë këtë gjë me liderin. Ai/ajo duhet të njohë mirë interesat, vizionin, preferencat dhe huqet e liderit për t’u përshtatur sa më mirë me pritshmëritë e tij me qëllim sigurimin e një vendi të mirë në listën e mbyllur të kandidatëve dhe si bonus, vendin në Këshillin Kombëtar të Partisë. Fati i tij nuk varet nga humori i elektoratit apo i anëtarësisë, por nga humori i liderit. Është ky i fundit që përcakton fatin e karrierës së tij politike dhe jo votuesi specifik. Në një kontekst të tillë, deputeti detyrohet që, për të qenë në listën e kandidatëve të preferuar të liderit, ta shndërrojë konformizmin në normë, besnikërinë në mbijetesë, shkallën e servilizmit në art. Pamja e liderit në shumë pak kohë synohet të ngjizet te pjesa më e madhe e deputetëve. Mbijetesa politike sa vjen dhe sfumon individualitetin politik dhe përforcon anonimatin e kandidatëve. Deputetët gjithnjë e më shumë fillojnë t’i ngjajnë njëri-tjetrit.
Ndërsa pjesa tjetër, për faj të tyre por jo vetëm, nuk klasifikohen si të preferuarit e liderit dhe në këto kushte detyrohen të imponojnë individualitetin e tyre qoftë tek zgjedhësit por edhe lideri në rast suksesi. Ata shikojnë si të vetmen mundësi për mbijetesë politike garën, bashkëshoqëruar me risqet përkatëse. Deputetët në një situatë të tillë detyrohen të njohin problemet, shqetësimet, shijet, preferencat e elektoratit në rastin e zgjedhjeve parlamentare dhe të anëtarësisë, në rastin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar.
Këto dy tipologji të sjelljes të ndryshme, të prodhuara kryesisht nga ligji dhe statuti i ri i PD, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se të arrish në konkluzionin se disa trajtohen si të nënës, ndërsa të tjerë si të njerkës. Garës i nënshtrohet një pjesë, dhe disa të tjerëve nuk u nevojitet ajo.
















