Unë po i them gjërat si janë, ju mund të më thoni se jemi si fqinjët, apo shumë vende të botës, as më mirë as me keq
Ka shumë zhgënjim, pakënaqësi e madje edhe zemërim pas dështimit të Kosovës për t’ u anëtarësuar edhe në një institucion tjetër ndërkombëtar, përkatësisht në Interpol. Përtej gatishmërisë së shumicës së opozitës për t’u hedhur në sulm ndaj pozitës, sepse as rastet e tilla nuk i lëshojnë dot t’u ikin duarsh, apo vetë pozitës për ta drejtuar gishtin vetëm kah djalli, në anën tjetër të tavolinës, ky dështim është mbi të gjitha një pasqyrim – përveç pafuqisë diplomatike të vetë vendit në përgjithësi, për të cilën tekembramja edhe vetëm mund t’i rrudhim krahët – i vetë kësaj strukture politike në pushtet.
Mund t’i parashtrojmë ca pyetje të thjeshtë dhe t’i marrin tri personalitete në maje të pushtetit për ta ilustruar përgjigjen.
Pyetja thelbësore është: çfarë mund të bëhet në arenën ndërkombëtare me politikanë të dyshuar për krime lufte (Hashim Thaçi, president i vendit dhe Ramush Haradinaj, kryeministër) dhe të tjerë që (Behgjet Pacolli), plot skandale korrupsioni nëpër vende të ndryshme, më e pakta shihen si palaço të shkretë? Si i pranojnë? Çfarë mund të bëjnë për ta? Deri ku mund të shtrihet bashkëpunimi dhe përkrahja diplomatike?
Ndoshta vërejtja e parë që do të më bëhet është se asgjë më të mirë nuk janë në anën tjetër të tavolinës (politikanët serbë) dhe po ashtu, ndoshta asgjë më të mirë nuk janë as shumë politikanë të tjerë anekënd botës. Duket se është e vështirë t’i bëhet ndonjë kundërshtim kësaj vërejtjeje. Por, një edhe mund t’i bëhet: çfarëdo që të ndodhë nëpër botë, vendi ynë nuk mund të ketë një të mirë, as edhe një të vetme, me këtë lloj strukture politikanësh. Është e pashëndetshme për shoqërinë. Është kanceroze për të ardhmen tonë. Mund të jenë si të duan të tjerët, ne nuk na mbetet veçse ta kthejmë vrojtimin mbi vetveten.
Mbi kokën e Hashim Thaçit qëndron (me të drejtë a pa të drejtë do ta marrim vesh, ndoshta, një ditë), sëpata vezulluese e gijotinës së Gjykatës Speciale. Çfarëdo që të mendojmë për diplomacinë ndërkombëtare, me një imazh të tillë, të valëvitur në të katër anët, parimisht është e pamundshme që presidenti Thaçi t’i sjellë ndonjë dobi vendit. Përkundrazi. Nuk dua të them tani se dështimi i sotëm është pasojë e drejtpërdrejtë e personalitetit të tij, por në listën e gjatë të pikëve, kjo mund të jetë njëra ndër to.
Megjithëse Haradinaj është liruar nga Gjykata e Hagës (por, krimet për të cilat akuzohej nuk janë zbardhur kurrë dhe kurrë më nuk ka pasur të dyshuar të tjerë), aura e tij nuk është ajo e një politikanë të rëndomtë apo të pranueshëm, përkundrazi e atij të dyshuar/gjykuar për krime lufte.
Behgjet Pacolli, përveç që është një injorant par excellence në politikë, ka afera të papërpijshme korrupsioni nëpër botë. Edhe sikur të qarkullonin vetëm si anekdota do të ishin për t’u rrëqethur. Sidomos ato nëpër vendet afrikane.
Tani mund të kalojmë në një pyetje tjetër.
Nëse ju e konsideroni veten parimorë, të edukuar në etikë dhe drejtësi: do t’i pranonit në shtëpi mysafirë të tillët?
Pra, unë po i them gjërat si janë, ju mund të më thoni se jemi si fqinjët, apo shumë vende të botës, as më mirë as me keq.














