Tre persona janë vënë në pranga gjatë operacionit të koduar “Clean 2016”, ndërsa janë sekuestruar produkte të dyshuara të falsifikuara. Gatë ditës së sotme në zonën e Misto-Mames policia ka bërë të ditur se, disa persona ushtronin aktivitetin e jashtëligjshëm të prodhimit, ambalazhimit dhe shitjes të produkteve të falsifikuara.
Gjatë këtij operacioni janë vënë në pranga, Arben Dragani, 47 vjeç, banues në Tiranë, ish punonjës i policisë bashkiake, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, Lirie Këllëçi, 47 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Altin Hoxha, 41 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasit e lartë përmendur, kishin marrë një banesë me qira në zonën e Misto-Mames, të cilën e përdornin për prodhimin e detergjenteve dhe shampove të markave të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
- Detergjente të markave të ndryshëm, 70 copë
- Paketim detergjentesh bosh 90 copë
- Shampo të markave të ndryshëm 270 copë
- Stampa të markave të ndryshme 5 topa
- Dy fuçi me lëndë të dyshuar detergjenti
Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.















