Nga Ndriçim Kulla
Kur kryeministri Rama i dërgoi letrën e fundit kryetarit të opozitës Basha, ai kishte bërë llogari që të përfitonte edhe nga një përgjigje pozitive, edhe nga një përgjigje negative. Tanimë që kanë kaluar disa ditë nga letra, është e qartë se Rama nuk ka arritur as njërën dhe as tjetrën. Madje ai ka arritur të kundërtën e asaj që priste me letrën.
Para së gjithash, duhet thënë se nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e marrëdhënieve mes politikanëve, që një politikan i lartë, për më tepër kryeministër, të thotë se i ka shkruar një letër rivalit të tij politik, në këtë rast kryetarit të opozitës Basha, kur ai që duhet të ishte marrësi i letrës, ka ardhur në dijeni për të njëkohësisht me të gjithë opinionin publik. Kjo pasi letra është bërë publike me gojë dhe me shkrim nga dërguesi në kohën që ia nisi personit që duhet ta merrte atë. Vetë kryeministri e quajti atë një letër publike. Por, në qoftë se kryeministri kishte bërë një letër publike në adresë të kryetarit të opozitës, përse duhej t’i dërgonte një kopje këtij të fundit, ashtu siç ndodh me letrat e mbyllura?
Kjo nuk flet veçse për joseriozitetin e kryeministrit, i cili i bëri një letër popullit me adresën e kryetarit të opozitës. Kryeministri mund të ishte mjaftuar duke i dërguar një sms kryetarit të opozitës, pasi e kishte bërë publike letrën, që të sigurohej se atij nuk i kishte shpëtuar ky lajm, gjë që sidoqoftë ishte e pamundur.
Në qoftë se kryeministri donte të komunikonte me letër, me kryetarin e opozitës, mund ta kishte bërë këtë me një letër të mbyllur dhe pastaj të priste për një periudhë të arsyeshme kohe për përgjigjen dhe nëse nga pala tjetër nuk do të kishte përgjigje, atëherë mund ta kishte bërë publike letrën me justifikimin se nuk mori përgjigje.
Kryeministri Rama nuk mund të vepronte kështu, se ai nuk kishte kohë për të pritur. Ai donte që që letra t’i shërbente për dy ngjarje, vizitën e komisionerit të zgjerimit të Bashkimit Europian Hahn në Tiranë, në fundit të marsit, dhe vizitën e kryeministrit në SHBA në prill. Ose më saktë, më tepër për vizitën e Ramës në Amerikë, se për atë të komisionerit europian në Tiranë.
Kjo kuptohet nga fakti se megjithëse kryeministri Rama e bëri të ditur nisjen e letrës në konferencën për shtyp që mbajti me komisionerin Hahn, letra e tij nuk ishte e destinuar aq për të bërë përshtypje në Bruksel, se në Washington, para vizitës së tij atje. Nëse Rama do të kishte dashur që letra e tij të kishte efekt në kohën e vizitës së komisionerit Hahn, ai do ta kishte bërë të ditur atë publikisht disa ditë më parë dhe në konferencën për shtyp me komisionerin europian do të kishte komentuar përgjigjen e Bashës.
Kryeministri Rama mendonte se letra e tij ishte një ofertë që nuk mund të refuzohet dhe se Basha nuk mund të mos e pranonte ftesën e Ramës për dialog, aq më tepër në këtë kohë. Kështu që letra do ta përmirësonte imazhin e Ramës, duke e bërë të dukej si një njeri i hapur për dialog me opozitën dhe me prirje konsensuale. Në qoftë se Basha do të kishte vepruar ashtu siç mendonte Rama paraprakisht, atëherë nuk do të kishte bërë gjë tjetër veçse do t’i kishte dhënë kryeministrit një letër rekomandimi për ta paraqitur në Washington, si një njeri që ka cilësitë e mësipërme, gjë që nuk është e vërtetë.
Por në qoftë se kryeministri do t’ i kishte vërtet ato cilësi, nuk do të kishte nevojë për një letër rekomandimi si një njeri i pajisur me këto cilësi. Kryeministri kishte nevojë për një letër rekomandimi nga kryetari i opozitës, pikërisht për arsyen se nuk i zotëron ato cilësi. Për më tepër që ai e di se në Washington nuk besojnë që Rama i ka këto cilësi.
Rama e kishte parashikuar përgjigjen negative të Bashës dhe donte ta përdorte atë si alibi për atë që shumë gjëra sa iu përket reformave, dekriminalizimit etj., nuk kanë shkuar sipas rekomandimeve amerikane. Rama kërkon të thotë pra se unë jam i prirur për dialog dhe bashkëpunim me opozitën, për konsensus për reformat, dekriminalizimin etj., por është kryetari i opozitës ai që nuk dëshiron të bashkëpunojë për këto çështje. Të gjitha këto tregojnë se Rama është i bindur që në Washington, përtej fotografive të mirësjelljes e pret një “gjyq” i rreptë për të gjitha çështjet e mësipërme, si dhe të tjera përveç tyre. Rama u përpoq që t’i shmanget pozitës së të “pandehurit” në këtë “gjyq”, duke nxjerrë si të tillë Bashën, si të “pandehur” në mungesë. Një përpjekje e pashpresë kjo, jo vetëm për faktin se Basha ishte ftuar para tij në Amerikë, në Departamentin e Shtetit, për t’u dëgjuar, por edhe sepse Basha me përgjigjen e tij për letrën e Ramës i kujtoi këtij të fundit, se qeveria dhe opozita, nuk mund ta shprehin njësoj vullnetin për dialog, pra me fjalë.
Opozita mund ta shprehë vullnetin me fjalë, dhe pastaj të shihet sa e mban fjalën. Qeveria, pas së cilës qëndron shumica parlamentare, duhet ta shprehë këtë vullnet me vepra përveçse me fjalë. Dhe përgjigja e Bashës për Ramën, e vuri këtë të fundit në një situatë kur duhet të tregojë me vepra dhe jo me fjalë vullnetin e tij për një dialog konstruktiv, për të cilin bën fjalë në letrën e tij.
Shkurt, letra e Bashës i kujtonte Ramës që ky është në pushtet, si kryeministër dhe kryetar i shumicës parlamentare, kështu që e ka për detyrim që ta shprehë me vepra dhe jo vetëm me fjalë vullnetin për ato që shpreh në letrën e tij. Kjo do të thotë që, para së gjithash, Rama duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që do të thotë se Kuvendi duhet të dërgojë në këtë Gjykatë mandatet e deputetëve që duhet të shqyrtohen për mospajtim me Kushtetutën.
Vetëm pas kësaj, kryeministri dhe kryetari i opozitës mund të ulen për të dialoguar. Por edhe pas kësaj, takimi i tyre për të qenë konstruktiv nuk duhet të bëhet para se të kenë biseduar për së paku dy javë ekspertët e të dyja palëve, që të bien dakord për një axhendë konstruktive, e cila duhet të përfshijë jo vetëm ato çështje që i interesojnë qeverisë, por edhe të tjera që i interesojnë opozitës, si p.sh. Reforma Zgjedhore. Në qoftë se takimi nuk mbahet dot para vizitës së Ramës në SHBA, ky nuk është problem i Bashës, se nga ai nuk mund të pritet që të luajë lojën politike të kryeministrit.
















