KLAUDIA HASANLLARI
Kam dëgjuar shpesh të thuhet se brezi im apo brezat pasardhës janë të painteresuar për studimet, ngelen kafeneve dhe janë të papunë. Ndoshta një pjesë e kësaj është e vërtetë. Por më lind pyetja, a e drejton dikush ndonjëherë gishtin te vetja për të pyetur pse? A ka lindur ky brez kështu nga natyra apo përgjegjësit kanë hequr dorë me neglizhencë nga edukimi i tij?
Më lind të pyes përse dalin shumë studentë me rezultate të dobëta? Sepse ata nuk studiojnë si dhe sa duhet. Por a mësohen ata si duhet? Më vjen keq të pohoj se sa mekanik është sistemi arsimor në Shqipëri, se më shumë se një fakultet apo shkollë, ekziston vetëm një institucion administrativ, ku më i rëndësishëm është plotësimi i regjistrave dhe mungesave, se sa debatet dhe konsultat konstruktive. Më së shumti, të rinjtë drejtohen drejt një konkurence të pakuptimtë, një sistemi xhungël ku fiton më i forti, më i miri, pa i mësuar se çdokush në vetvete mund të japë më të miren.
Gabimisht nxiten të kuptojnë se ka ndëshkim kur shkon pa detyra në shkollë, por për sa kohë nuk “ kapesh mat” këto detyra mund të bëhen edhe në klasë. Por pavarësisht se është i rëndësishëm, a është thelbi I edukimit vetëm plotësimi i detyrave? Më vjen keq edhe të pohoj se po të paktë janë ata pedagogë dhe mësues që të mësojnë si të bëhesh së pari një qytetar i mire, dhe më pas një profesionist. Se shumë rrallë mësojmë se aftësia nuk e justifikon fodullëkun dhe arrogancën.
Po, shumica e të rinjve nuk e dinë se të jesh njeri i zoti, nuk do të thotë të studiosh pa pushim, por të dish si të studiosh e si ta aplikosh atë që studiove në jetën e përditshme. Pa dashur, por fatkeqësisht shpesh, edhe me dashje te plotë, na mësojnë si të jemi individualistë të mirë, por bashkëpunëtorë të këqinj. E po ashtu, të paktë janë bërë ata prindër që vec hotelit, restorantit dhe bankës së parave e kthejnë shtëpinë në një ambient këshillimi si njerëzor e miqësor, por edhe akademik për fëmijët e tyre. Të shumtë janë ata prindër që duan të ndihen krenarë për fëmijët e ju kujtojnë se u kanë borxh qe u kanë bërë kokën. Por ama të rrallë janë ata, që bashkëpunojnë rregullisht me mësuesit për cdo problem tjetër, vec listës së notave. Po të shumtë janë ata që e vënë gishtin të brezi i shthurur, te fëmijet e pabindur, te adoleshentët e pa përkushtuar. Megjithatë të rrallë ata, që pervec se në media, denjojnë të përballen çdo ditë e të ndreqin një brez, që nuk ka aq nevojë të nxjerrë mijëra akademikë, sa ka nevojë që çdo individ ta nxjerrë në shoqëri të dobishëm e të plotësuar për të ardhmen.















