Arif Ejupi
Sikurse në Klubet e tjera të Evropës,edhe në ekipet e kategorisë së parë të futbollit zviceran këtë verë janë bërë lëvizje të shumta të lojtarëve nga njëra skuadër tek tjetra.
Nga këto vajtje –ardhje disa skuadra kanë përfituar dukshëm kurse disa të tjera janë varfëruar tepër saqë mbijetesa e tyre në Superligën zvicerane do të vije në pyetje.
Nga ndërrimi i skuadrave më se tepërmi është dëmtuar FC Thun , i cili ende nuk ka gjetur zëvendësim të përafërt të sulmuesit të spikatur Berat Sadiku,i cili gjatë këtij afati kalimtar është bërë anëtar i skuadrës ruse FC. Krylya Sovetov Samara.
Mungesa e këtij sulmuesi efikas ka bërë që nga gjithsej shtatë ndeshje të zhvilluara FC Thun të fitojë vetëm dy lojë. Si pasojë e mosefikasitetit në sulm skuadra e derivonshme e Sadikut ka vetëm një pikë epërsi ndaj FC. Zurich-it të radhitur si i fundit në tabelën e klasifikimit.
Po ashtu ekipi tjetër i Cyrihut FC. Graschopper , ka mbetur pa mesfushorin e njohur të kombëtares shqiptare Amir Abrashi, i cili nga dëshira për tu afirmuar edhe më tepër ka kaluar në FC. Freiburg të Gjermanisë. Ardhjes së Abrashit në Freiburg përveç simpatizuesve të skuadrës i është gëzuar së tepërmi edhe trajneri Christian Streich.
Trajneri Streich mendon që Abrashi është prurja më e duhur dhe më e leverdishme në skuadër. Andaj edhe pretendimet për rikthim të serishëm në Bundesligën gjermane i vlerëson reale.
Këto kalime të futbollistëve nga klubi në klub janë përshkuar edhe me pakënaqësi.
Aksionarët e FC Lugano nuk janë treguar aspak korrekt me sulmuesin e tyre Drilon Paçarizi.
Ata pothuajse në mbyllje të afatit kalimtar e kanë shpallur Paçarizin si lojtar të lirë dhe pa detyrime ndaj Klubit të tyre .
Mendojmë se me këtë rast është bërë padrejtësi e madhe, kur dihet fare mirë se për rikthimin e FC Lugano pas trembëdhjetë vjetësh në Ligën elitare të Zvicrës, merita të pakontestueshme ka edhe Paçarizi. Ai me golat e tij të bukur shpeshherë ka përcaktuar fituesin e takimeve të cilësuara si derbi.
Mbajtja peng e Paçarizit nga ana e udhëheqësve të FC. Lugano, ia kanë humbur shanset këtij futbollisti të talentuar për tu përfshirë në ndonjë skuadër të njohur edhe jashtë Zvicrës.
Siç po shihet nga ky kontekst më së tepërmi do të pësojë vetë FC. Lugano e gjendur në zonën e paqartë të renditjes tabelore, dhe me rrezik të vazhdueshëm për largim nga superliga.
Mungesa e kohës së mjaftueshme për të kërkuar skuadër të re e ka kushtëzuar Paçarizin që të kalojë tek skuadra voduaze FC” LE MONT LS” anëtare e Challenge League të Zvicrës, grup i njëjtë me atë ku deri para pak muajsh ka zhvilluar gara edhe FC. Lugano.
Nga komunikimi ynë i drejtpërdrejtë me Paçarizin, mësuam që ai me ekipin e tanishëm ka nënshkruar kontratë njëvjeçare dhe se në mjedisin e ri ndihet mjaft mirë.
Ai si avantazh e konsideron edhe mundësinë e takimeve më të shpeshta me prindërit dhe motrat e tij në Gjenevë.
Të qëndruarit në ulësen e rezervistëve të FC LUZERN nuk e ka përballuar dot preshevari Fidan Aliti,i cili dy-tre ditë para mbylljes së afatit kalimtar ka nënshkruar kontratë me skuadrën FC. Sheriff Tiraspol të Moldavisë.
Kthim një hapë prapa ka bërë futbollisti i deridjeshëm dhe me mjaft përvojë i FC Sion Beg Ferati, i cili është huazuar së bashku me Benjamin Kolollin tek FC. Biel-Bienne.
Ndërkaq për mesfushorin e FC. St. Gallen Muhamet Demiri përveç asaj që dihet që më nuk është pjesë e këtij ekipi të dhëna tjera nuk posedojmë .
Bashkëlojtar i dikurshëm i Demirit ishte edhe mbrojtësi i shkathët i seleksionit të Shqipërisë , Ermir Lenjani , i cili përfundimisht dihet se në skuadrën e FC Nantes të Francës , do të luajë së bashku me qendërmbrojtësin e kombëtares sonë Lorik Cana.
Me gjithë lëvizjet e shumta prapëseprapë ekipet e Superligës zvicerane në futboll në gjirin e tyre kanë të paktën dy-tre lojtarë me origjinë shqiptare.
FC Basel kampion i shumëfishtë i Superligës zvicerane dhe pjesëmarrës në Ligën e kampionëve evropian ndihet mjaft i kënaqur me kontributin e golashënuesit me të mirë në Ligë Shkëlzen Gashi.
Në Basel formë jashtëzakonisht të mirë po tregojnë dhe dy futbollistët tjerë të kësaj skuadre Taulant Xhaka e Albian Ajeti.
Angazhimi në punë dhe marrja me seriozitet e çdo këshille të dhënë nga ana e trajnerëve të tyre ka bërë që këta lojtarë të jenë të dobishëm dhe me rol të veçantë edhe në kombëtaren e Shqipërisë. Sezonin e sivjetmë e ka filluar mbarë edhe FC. Grasshopper i Cyrihut i cili aktualisht është i pozicionuar në vendin e dytë me 16 pikë të tubuara.
Të aktivizuar në këtë klub janë edhe tre shqiptarë të natyralizuar :Shani Tarashaj, Florian Kamberi dhe Alban Pnishi.
Parashikimet e ekspertëve të futbollit se Tarashaj ka kapacitet për të qenë njëri nga golashënuesit më të mirë në skuadër dhe Ligë po dalin të qëlluara.
Tarashaj në shtatë takimet e deritashme ka qenë titullar i FC. Grasshopper dhe ka shënuar gjashtë gola.
Lojës së mrekullueshme të Tarashajt , i ka bërë analizë dhe përzgjedhësi i kombëtares shqiptare Gianni De Biasi ,i cili e sheh si opsion të mundshëm angazhimin e tij në njëmbëdhjetëshin e parë të Shqipërisë.
Po ashtu edhe Florian Kamberi vetëm njëzetvjeçar është në rrugë të mirë për të krijuar emër në Zvicër , dhe jashtë saj. Paraqitjet e Kamberit po admirohen edhe nga ekspertët e Federatës së futbollit zviceran si dhe nga ata të Shqipërisë.
Pritet që gara për ta bashkuar këtë talent të ri në kontingjentin e lojtarëve zviceranë apo shqiptarë do të nis së shpejti.
Ndërkaq FC Luzern në përbërjen e tij ka Hekuran Kryeziun, Migjen Bashën dhe Jahmir Hykën me të cilët synon kapjen e vendit të dytë apo të tretë në tabelë,dhe pjesëmarrjen në Ligën evropiane. Migjen Basha i rikthyer në Superligën zvicerane nga Torino e Italisë, duket se është përforcim i qëlluar i FC. Luzern.
Ky lojtar i kalitur me përvojën e tij të fituar në klubet italiane u tregua i suksesshëm dhe në Kopenhagë në përballjen Danimarkë- Shqipëri 0:0, ndeshje kjo e vlershme për kualifikimet e kampionatit evropian “Franca 2016”.
Me FC. YONG BOYS dy vite radhas po tregon lojë të shkëlqyer edhe mbrojtësi Florent Hadërgjonaj, i cili nëse vazhdon me këtë ritëm lehtë mund të gjendet edhe në formacionin e parë të kombëtares zvicerane.
Kjo skuadër në radhët e veta para një viti e ka sjellë edhe futbollistin e talentuar shqiptar nga Kumanova e Maqedonisë , Taulant Seferi .
Por, si duket ky lojtar ka qenë i pafat sepse e kanë përcjellë lëndimet dhe si pasojë e tyre është dashur të qëndrojë jashtë fushës së gjelbër.
Të gjithë sportdashësit në start të këtij kampionati është duke i zhgënjyer më lojën e tij të dobët FC . Zurich. Mirëpo ardhja e trajnerit të mirënjohur finlandez Sami Hyypia javën që shkoi ka ngjallur shpresën që klubi do të reformohet dhe do të zhvendoset shpejt nga zona e të rrezikuarve.
Pjesë e FC Zurich, janë edhe tre reprezentuesit e Shqipërisë , Burim Kukeli, Berat Xhimshiti dhe Armando Sadiku. Gjithashtu në ekipin e parë është inkuadruar dhe Lulzim Salihaj i dalë nga kadetët e këtij klubi.
Përfundimi i këtij kampionati do të konsiderohet mjaft i suksesshëm nëse dy mbrojtësit e FC Lugano Frederik Veseli dhe Denis Markaj ,kuptohet së bashku me bashkëlojtarët tjerë do të arrin që skuadrës së tyre t,i sigurojnë ngeljen në superligë.
FC. St – Gallen e Albert Bunjakut prioritet do ta ketë mesin e tabelës.
Ndërsa skuadra me të njëjtin emër nga Vaduzi i principatës së Lieshtenstajnit e cilësuar më tepër si vizitore e superligës zvicerane kësaj radhe ka hartuar plan më afatgjatë për vazhdimin e garave me më të mirët e Zvicrës, sepse në radhët e veta kanë përfshirë dy futbollistë mjaft të përshtatshëm dhe perspektivë Naser Aliji të huazuar nga FC. Basel dhe Albion Avdiaj i ardhur nga FC. Wolfsburg i Gjermanisë.
Mbi pesëdhjetë futbollistë me prejardhje shqiptare të aktivizuar në Superligë dhe në të ashtuquajturën Challenge Legaue të Zvicrës, janë argumenti më bindës që ky vend kohëve të fundit është bërë furnizuesi kryesor me lojtarë i kombëtares së Shqipërisë dhe i asaj të Kosovës.
Kjo u vërejt edhe në takimin e fundit me Danimarkën ,ku fanellën kuqezi e kanë veshur nëntë lojtarë të cilët luajnë apo kanë luajtur deri para pak kohësh në skuadrat e Superligës zvicerane.
















