Gjatë periudhës ndërmjet viteve 2006- 2007, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, shpërdoruan pozitat e tyre zyrtare duke lëshuar qëllimisht dhe në mënyrë të kundërligjshme të drejta pronësore, në 15 raste, të tokës së ndërmarrjes në pronësi shoqërore
Tetë ish-gjyqtarë të gjykatës së dikurshme Komunale të Prishtinës dhe të asaj të Qarkut janë dënuar të martën në orët e mbremjes nga një panel i udhëhequr nga gjyqtari i EULEX-it Arkadius Sedek. Listës së të dënuarve për dallavere me prona shoqërore i prin ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka i cili është dënuar me dy vite burgim me kusht.
Me dënim me kusht janë dënuar edhe ish-gjyqtarët Olga Janjiqeviq prej 18 muaj, Ekrem Agushi me 9 muaj, Ferid Bislimi me 9 muaj, Sanije Muqolli me 6 muaj, Shemsije Sheholli me tetë muaj, Tihomir Mikariq me një vit burgim, Rrahman Retkoceri me 9 muaj, zyrtarja e ndërmarrjes së dikurshme shoqërore KBI “Eksport Kosova” Hasnije Balidemaj me një vit burgim me kusht dhe ish zyrtari i Komunës së Prishtinës njëherazi dhëndëri i Nuhi Ukës, Gazmend Gashi, është dënuar me 6 muaj burgim po ashtu me kusht.
Tetë nga ish-gjyqtarët dhe zyrtarët Gashi e Balidemaj për dy vite pas shpalljes së aktgjykimit nuk kanë të drejtë që ta ushtrojnë pozitën që e kanë mbajtur para se të akuzoheshin derisa ish-kryetari Uka këtë ndalesë e ka për tri vite. Teksa aktgjykimi është shpallur në objektin e gjykatës së apelit, zyra për informim e EULEX-it njofton se, prokurori i prokurorisë speciale Ndrew Carney pajtohet plotësisht me aktgjykimin e nxjerrë nga Gjykata Themelore (e mbledhur në Prishtinë) ku dhjetë të pandehurit u shpallën fajtorë për kryerjen e veprave penale lidhur me nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe të dhënies ndihmë për nxjerrjen e kundërligjshme të këtyre vendimeve gjyqësore gjatë periudhës 2006-2007.
Ky rast sipas këtij njoftimi ka të bëjë me një tokë në pronësi shoqërore ku këta gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës nxorën vendime me qëllim që parcela të ndryshme të tokës me vlerë të lartë t’u barten paditësve privatë në mënyrë të kunderligjshme.
Ata ngarkoheshin se kanë tjetërsuar pronën nga shoqërore dhe e kanë transferuar në private, veprime të cilat supozohet se i kanë shkaktuar dëm vendit për rreth 60 milionë euro. Gjatë periudhës ndërmjet viteve 2006- 2007, të pandehurit e lartëcekur, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, shpërdoruan pozitat e tyre zyrtare duke lëshuar qëllimisht dhe në mënyrë të kundërligjshme të drejta pronësore, në 15 raste, të tokës së ndërmarrjes në pronësi shoqërore.
Të pandehurit kishin prishur rendin kronologjik të rasteve të caktuara në gjykatë, duke iu dhënë prioritet këtyre 15 kërkesave pronësore për tokat, edhe pse ato nuk ishin emergjente.
Të pandehurit, gjithashtu i gjykuan dhe i finalizuan këto raste të ndërlikuara, brenda një kohe shumë të shkurtër, që është e pazakonshme për rastet e kësaj natyre.
Gjatë periudhës kohore 2006- 2007, Olga Janiçijeviq, Sanije Muçolli, Shemsije Sheholli dhe Tihomir Mikariq, në pozitat e tyre si gjykatës në Gjykatën Komunale në Prishtinë dhe Rrahman Ratkoceri, Ekrem Agushi dhe Ferid Bislimi, në pozitat e tyre si gjykatës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë (gjykatës së shkallës së dytë), me qëllimin për të nxjerrë përfitime të paligjshme pasurore, kanë nxjerrë vendime të paligjshme në 15 rastet e tokave lidhur me NPSH-të.
Pavarësisht udhëzimeve të qarta, një rast në vitin 2006 dhe 14 raste të tjera në vitin 2007, ishin vendosur në mënyrë të paligjshme nga ana e Gjykatës Komunale të Prishtinës, pa referim nga Dhoma Speciale e Gjykatës Supreme. ë pikën e katërt dhe të fundit të aktakuzës, të pandehurit Nuhi Uka, Hasnije Balidemaj dhe Gazmend Gashi, akuzohen për veprën penale të ndihmës në nxjerrjen e vendimeve të paligjshme gjyqësore.
Nuhi Uka, duke e përdorur pozitën e tij si kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, i ka ndarë lëndët në mënyrë të paligjshme, me qëllimin për të nxjerrë vendime të paligjshme me anën e gjykatësve të veçantë. Pasi iu kërkua nga AKM-ja, që të ndalonte këtë mënyrë veprimi të paligjshëm, duke mos iu referuar Dhomës Speciale, ai fillimisht zgjodhi që të mos bindej dhe kështu iu mundësoi gjykatësve tashmë të pandehur që të nxirrnin vendime të paligjshme gjyqësore në këto 15 raste.
Hetimi nuk arriti të provonte që ky i pandehur kishte përfituar materialisht, por ka pak gjasa që i pandehuri Uka të ketë marrë pjesë në këto veprimtari të paligjshme që prekin miliona euro, pa pritur që do të nxirrte ndonjë përfitim për veten e tij.
















