Një shofer limuzine nga Nju Xhersi ka pranuar se është fajtor në një çështje ku duket se implikohet edhe kryeministri shqiptar, raporton Reuters.
Shqiptaro-amerikani Bilal Shehu akuzohet se ka kanalizuar 80 mijë dollarë me kontribute të huaja për fondin e fushatës së presidentit amerikan, Barack Obama në vitin 2012, në mënyrë që një i huaj të marrë pjesë në një aktivitet të fushatës.
Prokuroria nuk e ka identifikuar se cili është burimi i huaj apo personi që ka marrë pjesë në këtë aktivitet.
Por sipas Reuters, kongresmeni republikan Dana Rohrabacher pati bëri thirrje në vitin 2013 për hetime, duke theksuar se një prej biletave prej 40 mijë dollarë për të marrë pjesë në këtë aktivitet ishte blerë nga kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama.
Në tetor të vitit 2012, Rama u fotografua me Obamën në këtë aktivitet.
Rohrabacher pretendoi se në atë kohë kjo foto ishte përdorur për qëllime të rreme nga Rama, për të ndikuar në zgjedhjet që e sollën Ramën në pushtet.
Rohrabacher nuk ka komentuar këtë çështje të mërkurën.
Shehu ka pranuar se ka marrë 80 mijë dollarë nga një burim i huaj.
Avokati i tij tha se duke pranuar përgjegjësinë e tij, ai u shpreh se i vjen keq për veprimet e tij.
Shehu rrezikon pesë vite burg dhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh.















