Petrit Kuçana
I kalonin caqet e turpit pamjet e transmetuara nga mediet shqiptare, ku një grup emigrantësh nuk lejoheshin të ktheheshin në shtetin e tyre.
Më kot mundoheshim të gjenim nëse kishte shembuj të ngjashëm diku nëpër botë. Më kot pritëm si media në diasporë, që të kishim një përgjigje nga institucionet e shtetit Shqiptar, konkretisht nga Ministria e Diasporës.
Ishin këto momente kur, orë pas ore, shpresohej që Ministri i Diasporës të thoshte fjalën e tij dhe institucionet që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë të ndërhynin. Asnjë nga këto nuk ndodhi, ndërkohë që i ftohti i acartë dukej se po i veniste dalëngadalë shpresat e këtyre emigrantëve për t’u kthyer në atdhe.
Nuk besohet të ketë mendje normale njerëzore, që mund të justifikonte çdo veprim arbitrar të autoriteteve për këtë sakrificë të pashembullt të këtyre shqiptarëve, që ishin zhveshur edhe prej të drejtës “për të patur një atdhe”. (Ju kujtohen remitancat?!.. Sa para vijnë nga diaspora. Çdo të ndodhte sikur …)
E mbase juristëve (të diasporës ose jo) nuk u duhej shumë punë për të konkluduar në shkeljet flagrante kushtetuese që u bëhej këtyre emigrantëve të mbetur pa atdhe. Ata vazhdonin të rezistonin në të ftohtin e acartë të Kapshticës, duke ndezur zjarre për të mposhtur sa të ftohtin, aq edhe linçimin që po u bëhej nga shteti amë.
A mund të thuhet se ishte ai zjarr i netëve të ftohta që përcëlloi dhe shkrumboi çdo buçimë tamtamesh, që u përcoll për vite me radhë, se tashmë emigrantët nuk do të ishin më jetimë, se tashmë ata kishin ministrinë e tyre dhe se Pandeli Majko ishte zgjidhja gjeniale?!.
A ishte ky zjarr i emigrantëve që bëri shkrumb e hi çdo ngrehinë institucionale, që para apo prapashtesë kishte fjalën diasporë, bëri shkrumb e hi çdo fjalim, imazh, kronikë nga ato të kuruara deri në detaj si mjet propagande, e deri tek të famshmet “Samitet e Diasporës”.
Kushedi sa i mashtruar apo i tradhtuar është ndjerë çdo emigrant, teksa shihte këto zjarre në kufirin neutral, në vijën e gjelbër ku u thuhet “Ndal”. Ata nuk duhej t’i përkisnin asaj toke. A mund t’u gjindej atyre një atdhe tjetër? Ato pamje dukej sikur thoshin “na lini një copë atdhe”. Gjithsecili prej nesh mund të ishte aty.
II
Si media e Diasporës nuk mund të mjaftoheshim me heshtjen e pafund të institucioneve përgjegjëse, të mos-reagimit thuajse të askujt, pasi në Shqipërinë tonë të dashur janë me mijëra organizata që funksionojnë në mbrojtje të gjithçkaje, përveçse emigrantëve shqiptarë. Më kot rrekeshim të hamendësonim se pse Shqipëria zyrtare nuk vepron si Kosova, Maqedonia etj etj.?!.
Në listën e organizmave të Ministrisë së Diasporës ekziston edhe Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD), ku janë 15 anëtarë të përzgjedhur në mesin e emigrantëve, që jetojnë në shtete të ndryshme të botës, ku me shumicën prej tyre kemi qenë dhe mbetemi në kontakt të vazhdueshëm dhe kemi publikuar historitë e udhëtimit të tyre.
Të premten, më datën 03.04.2020, i dërguam një letër në të cilën kërkuam angazhimin e tyre për emigrantët që u ishte mohuar atdheu. Kjo letër pati një jehonë tejet të fuqishme edhe tek flasshqip.ca që drejtohet nga z.Taulant Dedja.
Në bazë të V.K.M Nr. 320 datë 15.05.2019, KKD-ja duhej të bënte diçka…
Të hënën na erdhi përgjigja e tyre. U bëhej thirrje e autoriteteve shqiptare që të lejonin kthimin e këtyre emigrantëve dhe vetë-ofroheshin si KKD për të ndihmuar në këtë situatë.
Menjëherë pas kësaj deklarate u shfaq pas kaq kohësh Ministri Majko, që dha lajmin e madh se KKD-ja ka marrë përsipër të paguajë shpenzimet dy-javore të këtyre emigrantëve në një hotel në Shqipëri. Ndoshta janë të paktë ata që e dinin se çfarë është KKD-ja, pra Këshilli Koordinues i Diasporës, qoftë në Shqipëri apo në diasporë. E vërteta është që një humanist shqiptar, biznesmen tejet i suksesshëm, anëtar i KKD-së, z.Lazim Destani, ka marrë përsipër në emër të KKD-së, të gjitha këto shpenzime.
Z. Destani është i njohur në diasporë, por edhe në Shqipëri si dhuruesi i simbolit që u vendos në sheshin “Shqiponja”, që u hoq…Zgjidhja u dha për këta mërgimtarë, që qëndruan për katër ditë e netë përballë egërsisë së natyrës e të shtetit të tyre.
KKD-ja u bë e para e lajmeve të ditës. Mbase pyetja se çfarë do të bënte KKD pa filantropin Destani mund të zëvendësohet se çfarë do të bënte Majko dhe shteti shqiptar? Deri kur ato zjarre emigrantësh do të rrinin të ndezur?
III
Mbase shumëkush do të hyjë dhe do të kërkojë për këtë KKD që hodhi në të dy gjunjët shtetin shqiptar. Besojmë që zgjidhja e kësaj çështje i angazhon akoma edhe më tepër anëtarët e KKD-së për disa çështje tepër të thekshme të diasporës, sidomos pas situatës së krijuar nga virusi Covid-19.
Në këto ditë të ftohta prilli kur duket se u shkrumbua çdo gjë e proklamuar për diasporën, mbetet domosdoshmëri për klasën politike shqiptare përfundimi i kalvarit të turpit, për qasjen që kanë ndaj diasporës. Mbetet domosdoshmëri e drejta e votës për diasporën, si çdo vend tjetër i rajonit dhe më gjerë.
Nuk besohet se do të kishte “baba kombi” që do të guxonte t’i trajtonte kështu “bijtë” e vet, nëse ata do kishin të kishin të drejtën e votës!.
Deri atëherë KKD-ja, diaspora në vetvete, duhet të gjejnë forma dhe mënyra për t’ua imponuar këtë vullnet vendimmarrësve të Tiranës.
Ndërkohë zjarre të tjerë të vegjël, të padukshëm, të pamediatizuar, janë ndezur kudo nëpër botë, nga emigrantët që kanë mbetur pa punë, e mbase pa asnjë të ardhur dhe sot, fatkeqësisht, duan të kthehen dhe u mbetet vetëm t’i luten Zotit për fatin e atyre.
Thua do të duket e padrejtë të pyetet Majko nëse ka ndonjë listë të tyre apo edhe sa kohë do të duhet të presin?…





















