Zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme po bëhen gjithnjë e më të pashmangshme pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, ndonëse ato nuk i duan as Komisioni Qendror Zgjedhor, as organizatat që merren me procese elektorale dhe as vetë partitë politike, shkruan “Tribuna”.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se në rastin se vendimi i Gjykatës Kushtetues do të vonohej pas 4 gushtit dhe ky vendim do të konstatonte se seanca e konstituimit të Kuvendit ka qenë e paligjshme dhe, për rrjedhojë, Kuvendi nuk është konstituuar, atëherë zgjedhjet do të ishin të pashmangshme.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi I Kosovës duhet që të konstituohet një muaj prej datës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Rezultati i zgjedhjeve të 8 qershorit është certifikuar më 4 korrik.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, shpëtimi nga kjo situatë mund të gjendet në konstatimin e gjykatës se Kuvendi është konstituuar me dhënien e betimit të deputetëve dhe në vlerësimin si të rregullt të procedimit të pikave një dhe dy të rendit të ditës të seancës konstituive të Kuvendit. (r.m.)
***
Në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 17 korrik, Isa Mustafa, kandidat i koalicionit pasgjedhor LDK-AAK-NISMA, është zgjedhur kryetar i Kuvendit, me votat e deputetëve të koalicionit, të Listës Srpska dhe të disa partive të komuniteteve pakicë.
PDK-ja e konteston zgjedhjen e Mustafës, pasi konsideron se i takon asaj, si fituese e zgjedhjeve, ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe jo koalicioneve të krijuara pas zgjedhjeve. Ajo ka kërkuar vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin që ka rezultuar me zgjedhjen e Mustafës.
















