Tre vajza të mitura janë denoncuar të humbura, në fshatin Selcë të poshtme të Pogradecit.
Shtetasi Bashkim Çollaku, 45 vjeç, ka deklaruar se dy vajzat e tij, Bleona Çollaku, 16 vjeçe dhe Lorena Çollaku, 14 vjeçe, së bashku me fqinjën e tyre, me inicialet A. B., 16 vjeçe, janë larguar nga banesa e kësaj të fundit, pa lënë adresë për vendndodhjen e tyre.
Policia e Pogradecit bëri me dije se po vijojnë kërkimet, për gjetjen e tre vajzave, ndërsa janë marrë në pyetje të afërm të të dy familjeve.
Hetimet janë përqendruar në dy pista, në largimin me dëshirë të vajzave me persona që mund t’i kenë njohur së fundmi, si dhe pista e dytë, ajo e trafikimit të mundshëm drejt Maqedonisë.
Me qëllim hetimin e plotë dhe gjithëpërfshirës, burime nga policia bëjnë me dije se karakteristikat e vajzave u janë dhënë dhe Policisë Kufitare dhe autoriteteve maqedonase dhe greke.






















