Partia Demokratike që sot është hedhur në protesta për zgjedhje të lira, më 22 Mars të vitit 1992, bashkoi si me magji popullin përpara kutive të votimit dhe me mbi 1 milion vota hapi një epokë të re për Shqipërinë.
Pavarësisht nga përpëlitjet e regjimit komunist, që kishte pranuar pas presionit popullor pluralizmin, fitorja e Partisë Demokratike 25 vite më parë tregoi se kur qytetarët duan ndryshimin e madh, nuk ka klikë që ti ndalojë.
Shifrat pas hapjes së kutive dhe numërimit të votave ishin “një surprizë e madhe”, kur mendon që vendi ishte akoma në dorë të ish-komunistëve të konvertuar me shpejtësi në “socialistë”.
Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së në atë kohë, Partia Demokratike mori 1,046,193 vota, ose 57%, e përkthyer kjo në 92 mandate deputetësh.
Nga ana tjetër Partia Socialiste edhe pse ishte organizatorja dhe kishte në dorë të gjithë instrumentet e pushtetit, veçanërisht policinë dhe strukturat aktive të ish-Sigurimit të Shtetit që kanë bërë presion të jashtëzakonshëm mbi votuesit, mori më pak se gjysmën e votave të PD-së; 433,602, ose 23.7% të votave në total të përkthyera këto, në 38 deputetë.
Vetëm për dy vota PD-ja nuk arriti të kontrollojë dy të tretat e parlamentit, prag ky që i duhej domosdoshmërisht për të ndërmarrë reformat jetike kushtetuese dhe institucionale, që do ta fusnin vendin në rrugën e demokracive europiane.
Pikërisht për këtë Partia Demokratike u detyrua të lidhi marrëveshje koalicioni me Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit, të cilit i dha Ministrinë e Kulturës dhe disa poste të niveleve të dyta në administratë. Por vetëm pas dy vitesh, në 1994, PSD që kishte 7 deputetë do të kthehej në shtratin e saj të ish-partisë së Punës, duke braktisur koalicionin me rastin e miratimit të kushtetutës së re.
Pas votimeve të 22 marsit 1992, themeluesi dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u zgjodh President i Republikës, kurse kryeministër Aleksandër Meksi. Po ky parlament zgjodhi në krye të tij një ikonë të përndjekjes komuniste, Pjetër Arbnorin.
Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 22 Qershorit të vitit 1992, nuk kishte të bënte vetëm me fitoren e një partie që kishte dalë nga protestat e studentëve. Protagonistë të kësaj fitoreje historike që ngriti siparin për historinë e re demokratike të vendit ishin të gjithë qytetarët, të etur për rrugëtimin drejt Europës, madje edhe ish-anëtarët e Partisë së Punës.
Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje historike, ashtu si edhe sot kishte 140 deputetë, 100 u zgjodhën direkt nga populli, ndërsa 40 të tjerët nga lista e proporcionalit kombëtar të korrektuar.























