Agron Qokthi ka rrëfyer në polici se nuk ka asnjë konflikt me asnjë person, ç’ka shton dyshimet e një tentativë për grabitje.
Kushëriri i viktimës ka deklaruar se ndërsa lëvizte me furgonin e tij në drejtim të Torovicës, sapo ka kaluar nga një kthesë, në zonën e quajtur “Benti” ka parë 2 persona të armatosur dhe me maska, që i kanë dalë menjëherë në rrugë. Pa kuptuar se çfarë po ndodhte, dëshmitari thotë se ndaj tyre është hapur zjarr me kallashnikov.
Për t’u mbrojtur, Agron Qokthi thotë se në atë moment i ka dhënë gaz makinës për të kaluar dhe është ndaluar pak metra më tutje, ndërsa ka vënë re kushëririn e tij të pajetë në sedilje.
Ai thotë se nuk i ka njohur autorët e krimit dhe se këta të fundit janë larguar menjëherë nga vendngjarja me një automjet. Edhe pse janë shoqëruar mbi 15 persona, banorë të zonës për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, vrasja e 26 – vjeçarit ende nuk ka një autor.
Edhe gjatë të mërkurës efektivë të shumtë kanë qenë në vendngjarje për të bërë krehjen e zonës, për të ndaluar autorin e vrasjes.






















