Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është takuar me Zyrtarin e Lartë për Çështjet e Evropës, Hoyt Yee, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtari Yee nënvizoi si domosdoshmëri që në Shqipëri të ketë solidaritet dhe angazhim të përbashkët politik në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa shtoi se publikisht mbështesin masat e qeverisë për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Pasi shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për arritjet e Shqipërisë, si një aleat dhe partner në luftën kundër krimit të organizuar, Yee i shprehu ministrit Tahiri shqetësimin për sulmet me eksploziv të para pak ditëve në Tiranë, të cilat cenuan familjen e ministrit, si dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar maksimalisht Shqipërinë. Në vijim, ministri Tahiri u takua edhe me Këshilltarin e Lartë për Çështjet e Refugjatëve, Jonathan Winer, i cili i shprehu ministrit shqetësimin për sulmet e fundit me eksploziv që prekën edhe familjen e tij, ndërsa e siguroi se SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Shqipërinë. Në takim u bisedua për angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, ku zyrtari Winer dhe ministri Tahiri ndanë të njëjtin qëndrim për nevojën e rritjes së kapaciteteve në kufi në të gjithë rajonin, përfshi edhe Shqipërinë, pasi radikalistët mund të përpiqen të përdorin vendet e Ballkanit si tranzit për në vendet e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe më tej.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















