Ministri i Punës e Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se njohja e Kosovës “nuk vjen në konsiderim”.
Duke e komentuar deklaratën e nënkryetares së Parlamentit Europian, Ulriche Lunaçek, ai e ka cilësuar atë si qëndrim personal të saj dhe jo të institucionit.
“Po, është një formë presioni, nuk është qëndrim i një institucioni, është qëndrim i një individi, i një funksionerje, e cila nuk mund të flasë në emër të institucioneve evropiane”, u ka thënë Vulin gazetarëve.
“Përsa na përket neve, njohja e (pavarësisë) Kosovës nuk vjen në konsiderim”, cityohet të ketyë thënë ai nga Koha.net.
“Për këtë kemi folur në fillim të qeverisjes dhe në këtë pikë asgjë nuk ka ndryshuar dhe asgjë nuk do të ndryshojë. Po të kishim dashur dhe po të ishte vetëm kjo, ne deri tash kemi mundur ta njohim pavarësinë e Kosovës, por u mor vesh se këtë gjë ne nuk kemi dashur ta bëjmë”, është shprehur ai.
Sipas Vulinit, anëtarësimi i Serbisë në BE nuk do të kushtëzohet me njohjen e Kosovës.
“Rruga e Serbisë për në BE nuk kalon nëpër Kosovë dhe Metohi, por përmes Kapitullit 35, në një nga pikat e të cilit ka të bëjë me Kosovën”.
“A do të thoshte kjo se duke njohur Kosovën nuk jemi të detyruar ta zgjidhim deficitin buxhetor, a do të thoshte kjo se po ta njohim Kosovën nuk jemi të detyruar të zgjidhim problemet e judikaturës ose të luftës me krimin, a do të thoshte kjo se nuk ka rëndësi se çfarë ekonomie kemi, porse ka rëndësi a po e njohim Kosovën? Këtë filozofi e hedhin poshtë absolutisht, Kosovën e Metohinë nuk do ta njohim dhe pikë”, ka theksuar Vulin.
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, para pak ditësh ka thëenë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe, në fund, njohja e Kosovës do të jenë kusht për hyrjen e Serbisë në BE. Ajo ka thënë se kjo nuk figuron në asnjë dokument, por është “konsensus politik”.
















