Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për të përditshmen e njohur austriake “Der Standard”, ka folur edhe për zhvillimet e fundit në raportet Serbi – Kosovë.
Në lidhje me pezullimin e dialogut mes Prishtinës e Beograd, Vuçiq ua hedh fajin shqiptarëve.
“Unë nuk e bëj asnjëherë ndokënd fajtor, por Parlamenti i Prishtinës vendosi për bllokimin e dialogut. Gjithashtu, ata, përkundër Kushtetutës, kërkojnë krijimin e Ushtrisë së Kosovës, të na i marrin të gjitha pronat tona në Kosovë dhe përgatiten për një instancë gjyqësore për t’i fajësuar të gjithë serbët për krimet e luftës. Atëherë, ku ishte gabimi ynë? Unë e kam pyetur Isa Mustafën (kryeministrin e Kosovës) dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Megjithatë, ne jemi gati për të diskutuar me ata. Kur unë bisedova me Angela Merkelin, nuk i kritikova kolegët e mi të Kosovës. Unë paralajmërova se jemi të gatshëm të përfundojmë autostradën Prishtinë – Nish, që do ta rritë bashkëpunimin dhe do ta lehtësojë qarkullimin e kapitalit, mallrave dhe njerëzve. Dhe këtë e kishte bërë më parë Titoja,” është shprehur ai.
Vuçiq, duke u përgjigjur në pyetjen se si do të duken marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në dhjetë vitet e ardhshme, ka thënë:
“Në kohën e fushatës do ishte më e lehta të them – Kosova është territori ynë, dërgoni shqiptarët drejt Tiranës – por këtë nuk do ta them. Unë besoj se ka gjëra më të rëndësishme dhe këtu bëhet fjalë për autostradat dhe për lidhjet mes kombeve të ndryshme. Nëse ne jemi në gjendje të bisedojmë me njëri-tjetrin, të respektohemi dhe biznesmenët shqiptarë të sjellim drejt Serbisë dhe qytetarët tanë drejt Prishtinës dhe Tiranës, atëherë do ishte më e lehtë për zgjidhjen tjetër. Unë i urrej ‘zgjidhjet e mëdha dhe të drejta’ që nuk zgjidhin asgjë”.
Duke folur për takimin e Sarajevës, Vuçiq e ka theksuar rëndësinë e tregut të përbashkët që do sillte tre deri në katër herë më shumë investitorë në rajonin ballkanik.
Vuçiq ka shprehur dronë për valën e refugjatëve nga Lindja nëse dështon marrëveshja e BE-së me Turqinë, për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kroacisë dhe për ruajtjen e integritetit territorial të Bosnjës, ndonëse Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, kërkon referendum për bashkim me Serbinë.
“Nuk përzihem në politikën e shteteve fqinje”, është shprehur Vuçiq, duke folur për deklaratat e Dodikut. /Gazeta Express/























